Ministrja serbe i kërkon falje Qeverisë së Serbisë pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë vendit.
Paunoviq u arsyetua duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga intervista ishte shkëputur vetëm një pjesë prej shtatë sekondash, duke u shndërruar, sipas saj, në një çështje politike. Megjithatë, në intervistën e transmetuar në “Kurir TV”, ajo dëgjohet qartë tek e thotë deklaratën për “spastrimin etnik të Kosovës”. “Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Informer TV”.
Ajo falënderoi ata që e mbështetën pas kritikave, veçanërisht Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), pjesë e së cilës është. Por kritikoi edhe opozitën dhe mediat serbe për reagimet ndaj deklaratës së saj, duke i akuzuar se e shfrytëzuan rastin për qëllime politike.
Paunoviq e quajti paradoks edhe vendimin e Kosovës për ta shpallur “non grata”, duke thënë se ndalimi i përhershëm i hyrjes në Kosovë është vendosur nga, siç i quajti ajo, “institucionet e përkohshme të Kosovës”. Ajo shtoi se prej katër vjetësh nuk ka mundur të hyjë në Kosovë.



