Për herë të parë studentë nga diaspora bëhen pjesë e studimeve bachelor në UP përmes kuotave të veçanta

16 korrik 2026 | 21:20

Universiteti i Prishtinës shënon një moment të rëndësishëm në përpjekjet për forcimin e lidhjeve akademike me diasporën kosovare dhe komunitetet historike shqiptare jashtë vendit.

Për herë të parë, pas ndarjes së kuotave të veçanta për arbëreshët, arbneshët, shqiptarët e Turqisë dhe mërgatën kudo në botë, katër studentë të rinj janë bërë pjesë e studimeve të nivelit bachelor në Universitetin e Prishtinës.

“Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt kthimit të të rinjve në atdheun e tyre apo të prindërve të tyre, duke e shndërruar Universitetin e Prishtinës në një urë të fuqishme akademike, kulturore dhe kombëtare për brezat e rinj të diasporës. Studentët e pranuar do të ndjekin studimet në programe të ndryshme të Universitetit të Prishtinës”, theksohet në njoftimin e UP-së.

Me tutje thuhet se ky është një lajm i veçantë jo vetëm për Universitetin e Prishtinës, por edhe për Kosovën, pasi dëshmon potencialin e madh të diasporës si pjesë aktive e zhvillimit akademik, profesional dhe shoqëror të vendit.

“Përmes përfshirjes së të rinjve nga mërgata dhe komunitetet tona historike, UP-ja po kontribuon në mënyrë konkrete në procesin e “kthimit të trurit” në Kosovë, qoftë nëpërmjet diasporës akademike, qoftë përmes kthimit të të rinjve për të studiuar, jetuar dhe kontribuuar në vendin e origjinës”.

Universiteti i Prishtinës ka theksuar se mbetet i përkushtuar që të jetë shtëpi akademike për të gjithë kosovarët dhe studentët nga diaspora kudo që jetojnë, duke ofruar mundësi studimi, integrimi dhe zhvillimi profesional në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-deputeti, Nait Hasani, ka thënë që “Kosova do të digjet”…