Promovohet libri “Bashkëbisedim me Fadil Vatën (1989)”, që dokumenton një periudhë kyçe të historisë së Kosovës

17 korrik 2026 | 15:37

Në prani të shumë personaliteteve publike, akademike e kulturore, bashkëveprimtarëve dhe familjarëve, sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë u promovua libri “Bashkëbisedim me Fadil Vatën (1989)” i autorit Hajdin Abazi.

Vepra, e ndarë në 12 kapituj dhe me 355 faqe, i kushtohet figurës së veprimtarit Fadil Vata dhe zhvillimeve politike që paraprinë periudhën vendimtare të vitit 1989.

Përmes bashkëbisedimeve, libri sjell kujtime, analiza dhe dëshmi mbi rrethanat politike të asaj kohe, duke u fokusuar në rolin e Fadil Vatës dhe bashkëveprimtarëve të tij.

Autori Hajdin Abazi tha se vendimi për ta shkruar librin erdhi pas një dileme të gjatë personale, por se ndjeu obligim moral për t’i dokumentuar bisedat që kishte zhvilluar me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë.

No description available.

“Ka disa vite, ndoshta dy dekada, që kam zhvilluar një luftë me veten nëse duhej t’u hyja shkrimeve të këtyre kujtimeve apo jo. Nuk kisha siguri në vetvete nëse do t’ia dilja, por ajo që më nxiste ishte fakti se isha i vetmi që pata fatin të isha me ta dhe të bisedoja për ato ndryshime të mëdha. Prandaj, ndjeva se kisha një borxh moral. Asnjëherë, askund në libër, nuk e kam mohuar pikëpamjen tonë ideologjike. Bisedat kanë qenë kryesisht me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë. Shpesh dëgjoj të thuhet se ata ishin udhëheqës të Kosovës, por jo, ata ishin udhëheqës të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kërkesat ishin të mëdha dhe në libër disa gjëra i kam lënë me tri pika, sepse nuk kam mundur t’i përfshij të gjitha”, tha Abazi.

Ish-ministri i Jashtëm, profesori dhe deputeti Enver Hoxhaj vlerësoi se emri i Fadil Vatës është i lidhur ngushtë me fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre për shqiptarët në Kosovë, duke e cilësuar atë si një nga ideologët dhe vizionarët më të rëndësishëm të kohës.

No description available.

“Me emrin e Fadil Vatës, por edhe me gjeneratën e tij dhe Afrim Zhitinë, lidhet padyshim fundi i një historie dhe fillimi i një tjetre. Fundi i pushtimit dhe i shpërbërjes së Jugosllavisë, por edhe fillimi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai ka qenë ndër ideologët, vizionarët dhe veprimtarët më të mëdhenj që ka pasur Kosova dhe trojet shqiptare. Ideali i tij politik, përgatitja intelektuale dhe guximi e bëjnë Fadilin shembull frymëzimi jo vetëm për gjeneratën e tij, por edhe për gjeneratat që do të jetojnë në Kosovë”, tha Hoxhaj.

No description available.

Ai përgëzoi autorin Hajdin Abazi për librin dhe mënyrën e ndërtimit të tij, duke e cilësuar si një formë moderne të paraqitjes së mendimit politik. “Unë dua ta përgëzoj autorin e librit, Hajdin Abazin, për një libër të shkëlqyeshëm që ka shkruar dhe një formë moderne e shkrimit të librit, ku autori është në bashkëbisedim me ideologun e madh, Fadil Vatën. Si i tillë, libri është njëra prej formave më perëndimore të paraqitjes së ideve politike, të diskursit politik, të idealit politik të një kohe të caktuar”, tha Hoxhaj.

Ndërkaq, bashkëveprimtari i afërt i Fadil Vatës, Ibrahim Shala, tha se libri paraqet një qasje të veçantë, pasi rrëfimi ndërtohet përmes bashkëbisedimeve të personazheve kryesore dhe përqendrohet në muajt janar dhe shkurt të vitit 1989.

“Është një libër që thyen paragjykimet dhe ideologjinë dogmatike. Një vepër shumë e veçantë, me një qasje të realizuar përmes bashkëbisedimeve të personazheve kryesore, gjë që shprehet edhe në titullin e librit. Harku kohor është i përqendruar vetëm në muajt janar dhe shkurt të vitit 1989. Që në hyrje të librit, autori na bën me dije se ai është rezultat i bashkëbisedimeve politike në një periudhë dinamike, të tensionuar dhe dramatike për Kosovën”, tha ai.

No description available.

Edhe bashkëveprimtari tjetër i Fadil Vatës, Ramadan Avdiu, tha se libri “Bisedë me Fadil Vatën është një dokument historik dhe dëshmi autentike që sjell para lexuesit botën intelektuale, politike dhe njerëzore të Fadil Vatës. “Duke e lexuar bashkëbisedimin, gjegjësisht veprën ‘Bisedë me Fadilin’ të autorit Hajdin Abazi, krijova përshtypjen sikurse edhe unë u ndodha në atë shtëpinë e vogël buzë qytezës së Obiliqit, në shtëpinë e veprimtarit Sadik Makolli e Sefedie Makolli, që është motra e veprimtarëve të mirënjohur Sahit Krasniqi e Avni Krasniqi, të cilën po shoh që e kemi këtu. Edhe mu duk, mu krijua përshtypja sikur edhe unë u ndodha aty. Besoj që kur ta lexojnë bashkëveprimtarët, edhe ata do ta kenë një ndjesi të tillë”, tha ai.

Ai tha se promovimi i kësaj vepre është rikthim i kujtesës për një periudhë të rëndësishme të historisë së Lëvizjes Kombëtare. “Sot nuk po promovojmë thjesht një libër. Sot po rikthejmë kujtesën tonë të një pjese të rëndësishme të historisë së Lëvizjes Kombëtare. Një histori që u shkrua me sakrifica, me burgje, me organizime në fshehtësi, me përpjekje, vendosmëri, por edhe me besim të palëkundur se populli shqiptar duhet të jetojë i lirë në vendin e vet”, shtoi Avdiu.

No description available.

Ky libër hedh dritë mbi jetën, veprimtarinë politike dhe angazhimin kombëtar të njërit prej figurave më të njohura të lëvizjes ilegale shqiptare në Kosovë.

Libri sjell dëshmi, kujtime dhe rrëfime për Fadil Vatën, duke e paraqitur atë si një lider politik me formim filozofik dhe organizativ, i përfshirë në lëvizjet ilegale që nga fundi i viteve ’70.

Në këtë libër përshkruhen aktivitetet e Fadil Vatës në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), organizimi i protestave studentore dhe përkrahja për grevën e minatorëve të vitit 1989.

No description available.

No description available.

No description available.

No description available.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zjarrfikësit dhe Policia e Kosovës kanë intervenuar në rrugën “A”,…