Bujar Gashi: Koleg me trashëgimtarin e një sakrifice të madhe, historia që të përul

19 korrik 2026 | 01:21

”Ka histori që nuk lexohen vetëm me sy, por ndihet thellë në shpirt”, kështu ka shkruar Bujar Gashi për historinë e familjes së Besnik Ahmetit.

Në qendër të Skenderajt sot qëndron shtatorja e vogëlushit Leutrim Ahmeti, një dëshmi prej bronzi që të lë pa fjalë. Leutrimi ishte vetëm 7 vjeç kur u plagos për vdekje nga granatat serbe në Rezallë, duke lënë pas fjalët rrëqethëse: “Nanë, mos më prek se po më dhemb shumë.”

Vetëm tetë muaj më vonë, në frontin e lirisë ra dëshmor edhe babai i tij, heroi dhe komandanti Malush Ahmeti.

“Kjo tragjedi ndau përgjithmonë dy vëllezër të pandarë. Besnik Ahmeti, dy vjet më i madh se Leutrimi, u rrit me dhimbjen e humbjes së vëllait dhe të babait. Edhe sot, pas më shumë se dy dekadash, ajo plagë mbetet e pashëruar”, ka shkruar kolegu i tij Bujar Gashi.

Shtatorja e Leutrimit e paraqet atë me njërën dorë mbi plagë, ndërsa tjetrën mbi librin e shkollës që nuk arriti ta hapte kurrë – një simbol i pafajësisë së vrarë dhe i ëndrrave të ndërprera.

Sot, Besniku shërben me dinjitet në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Pavarësisht dhimbjes që mbart, ai qëndron krenar për sakrificën e familjes së tij, për babanë hero dhe për idealin e lirisë, duke e mbajtur kokën lart me forcë, përulësi dhe dinjitet.

Gashi ka thënë se “si koleg i tij, shpesh e gjej veten duke menduar se nuk ka asgjë që mund t’ia kthejë familjes së tij atë që humbi. Megjithatë, ndihem i nderuar që ndaj përditshmërinë me një njeri që mbart mbi supe një histori kaq të rëndë, por edhe një shembull të rrallë të qëndresës, karakterit dhe dashurisë për atdheun.”

Ka njerëz që të bëjnë ta shohësh jetën ndryshe. Besnik Ahmeti është njëri prej tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luljeta Dakaj shpall të pavlefshme ID karten e Kolegjit Biznesi…