Grupi “Marigona” mbajti koncertin lamtumirës
Grupi legjendar “Marigona” u ngjit mbrëmjen e së premtes për herë të fundit në skenë, duke mbajtur koncertin e lamtumirës “Përjetë” në hapësirat e AMC Hall, në periferi të Prishtinës.
Koncerti, i titulluar “Përjetë”, mbarti simbolikën e jetëgjatësisë së këngëve të grupit, të cilat kanë mbetur të dashura për breza të tërë. Me këtë mbrëmje, bendi i dha fund një karriere shumëvjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në muzikën shqiptare, shkruan KultPlus.
Grupi, autor i dhjetëra hiteve të njohura, mblodhi adhurues të grupmoshave të ndryshme, duke dëshmuar ndikimin dhe popullaritetin që ka ruajtur ndër vite.
Gjatë koncertit, “Marigona” interpretoi disa prej këngëve më të njohura të repertorit të saj, por edhe krijime më të reja, duke përmbyllur me emocion rrugëtimin e saj artistik.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte dueti i solistit Vullnet Sefaja me vajzën e tij, Vesa, i cili u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.
Koncertit iu bashkuan edhe mysafirë të njohur të skenës muzikore shqiptare, mes tyre MC Kresha, Fifi dhe Zana Abazi Ramadani, të cilët e bënë edhe më të veçantë natën e fundit të grupit “Marigona”.



