Karriga e luhatur e Lumirit: Kuvendi zgjedhor i LDK-së “urgjencë” para konstituimit të Kuvendit

20 korrik 2026 | 10:12

Në pak më shumë se dy javë Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i konstituuar në kalendar kushtetues ndërsa partia fituese Vetëvendosje s’e ka ftuar ende seancën nisëse.

Albulena Haxhiu, që ushtron kujdestari në institucion të Presidencës, ka bërë të ditur që fillimi i gushtit është koha kur do të thërras seancën konstitutive. Kjo edhe me ‘arsyen,’ sipas saj, që partitë politike të kenë kohë ‘për t’u konsultuar mes vete.’

Lidhja Demokratike e Kosovës, në anën tjetër, partia ku Vetëvendosja synon kompletimin e votave për zgjedhje të presidentit, mbetet në predikamentit e vet me kryetarin e partisë.

151 nënshkrime delegatësh janë grumbulluar dhe formalizuar për thirrje të Kuvendit Zgjedhor për votëbesim ndaj Lumir Abdixhikut, gjashtë muaj pasi ky i fundit u rilegjitimua me votë mbijetuese.

Nga LDK kanë folur për “urgjencë” të thirrjes së atij Kuvendi Zgjedhor që vjen si imponim i procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Ilir Ferati, Sekretar Organizativ i partisë, la të kuptojë që organi më i lartë i partisë mund të thirret edhe para 7 gushtit, kur mbaron afati kushtetues për seancë konstitutive të Kuvendit të Kosovës.

“Tash, nuk po dua me e cilësuar urgjente si Kuvend, mirëpo sigurisht që na imponon pjesa e datës së konstituimit të institucioneve, edhe pse është përgjegjësi e partisë së parë me fillu punën edhe me i përshpejtu ato procedura.

Por ndryshe, grupi parlamentar është, edhe deputetët janë zgjedhur, dhe po e garantoj që është funksional, po marrë parasysh organizimin e Kuvendit të LDK-së”, tha ai.

Avdullah Hoti, një edhe nga figurat kyçe që qëndron për zhvotimin e Lumir Abdixhikut si kryetar, në një intervistë për Express kërkoi konkludim të këtij procesi të ndërrimti të lidershipit të partisë.

Rezultatet e njëpasnjëshme të dobëta zgjedhore, sipas tij, e diktojnë këtë.

“Pas rezultateve të dobëta në katër palë zgjedhje, tri zgjedhje qendrore dhe një palë zgjedhje lokale, është krejtësisht e natyrshme që të thirret Kuvendi për të rishikuar drejtimin e partisë,” tha ai.

Në atë çka Abdixhiku ka aluduar se do të mund të kishte koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, ose marrëveshje politike, Hoti e kundërshtoi në tërësi.

Vetëvendosja, tha ai, as nuk ka nevojë për votat e LDK-së për formim të institucioneve.

“Sa i përket zgjedhjes së Qeverisë, rezultati zgjedhor i qershorit 2026 tregon se LVV-ja nuk ka nevojë për LDK-në. Siç ka vepruar pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, LVV-ja mund ta themelojë vetë qeverinë. Në këtë aspekt, është e pajustifikueshme vonesa në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nga znj. Haxhiu,” tha ai.

Nisma për zhvotim të Abdixhikut

Duhen 177 vota të delegatëve të LDK-së, nga 355 në total, për ta kaluar me sukses mosbesimin ndaj Abdixhikut.

Kjo ngjarje vjen në një kohë kur Abdixhiku shprehej se flet “në emër të 18 deputetëve,” për marrëveshje politike me partinë Vetëvendosje.

Bisedimet te Albin Kurti i nisi me Vjosa Osmanin e cila s’ishte as anëtare e LDK-së.

Tash, tha ai, me deponimin e nënshkrimeve të delegatëve të LDK-së “i kam ndërprerë angazhimet” për biseidmet për formim të institucioneve.

Abdixhiku u shpreh kundër iniciatorëve se po çojnë në dëmtimin e LDK-së dhe se do t’i përgjigjet iniciativës me thirrje të Kuvendit Zgjedhor.

Sipas statutit të partisë, ai duhet ta thërras Kuvendin Zgjedhor brenda 60 ditësh.

“Nuk do t’i shmangem asnjë procesi demokratik. Nuk do t’i iki asnjë vote dhe nuk do ta mbaj asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”, tha Abdixhiku.

“Nuk do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për ta udhëhequr dhe për ta përfaqësuar atë është vënë në diskutim”, tha ai.

Të pakënaqur me këtë iniciativë u shprehën edhe nga Vetëvendosje të cilën pretenduan se po arrihej marrëveshje për institucione.

Ministrja në detyrë e Tregtisë, Mimoza Kusari, tha se zhvillimet e brendshme në LDK po e komplikojnë procesin e arritjes së një marrëveshjeje me LVV-në.

Ajo deklaroi se situata e re “e komplikon situatën në diskutim” dhe ndikon në bisedimet për formimin e institucioneve.

Sipas Kusarit, përfaqësuesit e LDK-së që kërkojnë largimin e Lumir Abdixhikut kanë qenë kundërshtarë të bashkëpunimit me Vetëvendosjen.

“Shihet qartë se përpjekja është për të mos u lënë për t’u arritur një finalizim i një marrëveshjeje”, tha ajo në KTV.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet…