Hykmete Bajrami ia kthen Abdixhikut pa e kursyer: Humbës i trefshishtë i zgjedhjeve

08 shtator 2026 | 14:58

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, i cili sot përmes një statusi në profilin e tij në ‘Facebook’ ka thënë se po shihet hapur se ambiciet e kundërshtarëve të tij janë për pushtet të brendshëm në parti dhe jo për parime.

Bajrami e ka quajtur Abdixhikun si humbës të trefishtë të zgjedhjeve dhe njeri që e ka degraduar dhe përçarë partinë.

Ajo i është përgjigjur direkt Abdixhikut duke i thënë se është njeriu i fundit që mund të flas për parime, ambicie, shtet e pushtet.

Deputetja Bajrami ia ka numëruar Abdixhikut humbjet e zgjedhjeve dhe ia ka rikujtuar zotimet e tij për largim nga kreu i partisë.

Reagimi i plotë i saj: 

Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK.
Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time. Por më lejoni sot t’i përgjigjem me argumente:
Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi.
Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar.
Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër.
Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur.
Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional, ndërsa çdo ditë përpiqet t’i kapë e t’i kontrollojë institucionet.
Dhe pikërisht për ta ndalur këtë degradim, ambicieve të kujtdo për rrënimin e LDK-së duhet t’u themi STOP.
Le të flasim, për shtetin!
LDK-ja ka qenë dhe do të jetë gardiane e shtetit, e institucioneve dhe e rendit demokratik, jo admiruese e nënshtrimit të shtetit ndaj pushtetit.
Betja e LDK-së duhet të jetë për shtetin, por shteti ka tema tjera.
Temat a shtetit janë:
Situata ku janë tejkaluar të gjitha afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe askush nuk e di se çfarë vlere juridike e kushtetuese do të ketë një konstituim i mundshëm nesër.
Nëntëmbëdhjetë ministri vazhdojnë të drejtohen nga persona që tashmë kanë marrë mandatin e deputetit.
Kemi katër ministri që nuk figurojnë fare në Ligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, por vazhdojnë të funksionojnë dhe të shpenzojnë paranë publike – kundërligjshëm.
Kemi institucione të bllokuara dhe veprim institucional të kufizuar.
Kemi norma kushtetuese dhe ligjore që po relativizohen e shkelen çdo ditë, ndërsa ka tendenca që e gjithë kjo të kthehet në normalitet.
Kemi degradim serioz në arsim, të dëshmuar edhe nga rezultatet e PISA-s, ndërsa përgjegjësia politike mungon tërësisht.
Kemi inflacion galopant. Tenderët njëburimorë janë bërë normë. Kapja e institucioneve tashmë ka përfunduar. Kemi qenë 960 ditë nën sanksionet e BE-së. Po rrezikojmë t’i humbim 160 milionë euro nga Plani i Rritjes. Politikën e jashtme e kemi në pikën e saj më të ulët.
Pajtohem: s’rrotullohet shteti për një ambicie.
Pikërisht për këtë arsye, le të flasim për shtetin, por, fillimisht, duhet ta bëjmë dallimin mes shtetit dhe karriges.
T’i kthehemi shtetit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër” kanë mbajtur të martën…