Asnjë lider nuk e forcon partinë duke anashkaluar njerëzit me kredibilitet
Shkruan: Agron Kuçi
Çdo parti politike që synon të fitojë besimin e qytetarëve duhet ta fillojë nga vetja. Strukturat drejtuese nuk duhet të jenë produkt i imponimit, interesave të ngushta apo marrëveshjeve të mbyllura, por rezultat i meritës, kontributit dhe mbështetjes reale që individët gëzojnë në elektorat.
Në çdo nivel organizimi, nga nëndega, te dega dhe deri në qendër – duhet të përfaqësohen njerëz që njihen për punën, integritetin, përgjegjësinë dhe përkushtimin e tyre. Kjo nuk është vetëm çështje drejtësie ndaj anëtarësisë, por edhe kusht i domosdoshëm për të fituar besimin e qytetarëve.
Kjo përgjegjësi është edhe më e madhe për partitë opozitare. Qytetarët presin një opozitë që bashkon, frymëzon dhe mobilizon, jo një opozitë që prodhon pakënaqësi, përçarje dhe zhgënjim. Nuk mund të kërkohet besimi i qytetarëve, nëse brenda partisë nuk respektohet vullneti i anëtarësisë dhe nuk vlerësohen ata që për vite të tëra kanë mbajtur gjallë organizimin politik.
Asnjë lider nuk e forcon partinë duke anashkaluar njerëzit me kredibilitet dhe duke promovuar figura pa mbështetje qytetare. Përkundrazi, kjo e dobëson unitetin, ul motivimin e aktivistëve dhe zbeh besueshmërinë e subjektit politik.
Partitë e forta ndërtohen mbi meritokracinë, përfaqësimin dhe respektin për kontributin. Ato fitojnë kur çdo aktivist ndien se puna, sakrifica dhe mbështetja e qytetarëve vlerësohen drejt.
Në fund, janë qytetarët ata që japin verdiktin. Ata nuk votojnë emra të imponuar; votojnë njerëz që i njohin, u besojnë dhe i kanë parë të punojnë me ndershmëri. Pikërisht ky duhet të jetë standardi mbi të cilin ndërtohet çdo strukturë politike që synon të jetë alternativë serioze dhe fituese!



