Dreshaj kërkon reagim urgjent për dëmet në bujqësi në komunën e Istogut

21 korrik 2026 | 18:23

 Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për dëmet e mëdha të shkaktuara në sektorin e bujqësisë nga reshjet e fundit të breshërit, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet dhe mobilizim të përbashkët për mbështetjen e fermerëve.

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, ka theksuar se dëmet e shkaktuara në disa zona të vendit kanë prekur rëndë fermerët, prodhuesit vendorë dhe ekonominë familjare të shumë qytetarëve.

Sipas tij, bujqësia është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës dhe çdo dëm i shkaktuar në këtë sektor kërkon reagim të shpejtë, serioz dhe konkret nga institucionet përgjegjëse.

Dreshaj u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që të dalin menjëherë në terren për vlerësimin e dëmeve, të angazhojnë komisione profesionale për evidentimin e pasojave dhe të ndërmarrin masa konkrete për mbështetjen financiare të fermerëve të prekur.

“Fermerët nuk kanë nevojë për fotografi në media apo garë për mesazhe politike se kush po paraqitet më shumë para qytetarëve. Ata kanë nevojë për veprime konkrete, mbështetje reale dhe ndarje të mjeteve për t’i ndihmuar të tejkalojnë këtë situatë të rëndë”, ka deklaruar ai.

Njëkohësisht, Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve tregtare në vend që të mobilizohen dhe të ofrojnë mbështetje për bujqit e prekur nga dëmet e breshërit.

Në reagim thuhet se kompanitë që ofrojnë produkte dhe materiale të nevojshme për bujqësi duhet të kontribuojnë përmes lehtësimeve, zbritjeve apo formave të tjera të përkrahjes, në mënyrë që fermerët të mund të rikuperojnë dëmet dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre.

Dreshaj ka theksuar se në këtë periudhë sfiduese nevojitet solidaritet i përbashkët ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit për të mbrojtur prodhuesit vendorë dhe për të ruajtur zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka falënderuar veçanërisht kompaninë Elkon Group për reagimin e menjëhershëm dhe mbështetjen e ofruar për fermerët e prekur, duke ftuar edhe kompanitë e tjera që të ndjekin këtë shembull dhe të tregojnë përgjegjësi shoqërore.

“Në këtë kohë kemi nevojë për më pak deklarata dhe më shumë solidaritet, më pak fotografi dhe më shumë veprime konkrete”, përfundon reagimi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vinicius Jr ka tërhequr vëmendjen e mediave pasi duket se…