Gaxha dhe Mustafa nënshkruajnë memorandum

21 korrik 2026 | 13:24

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (BKK), Blerina Rogova Gaxha dhe drejtori i Drejtorisë së Kulturës në komunën e Prishtinës, Isah Mustafa, sot kanë nënshkruar memorandum për ekspozimin e makinës së shtypit të ish-shtëpisë botuese “Rilindja” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Sot Biblioteka Kombëtare nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit me Komunën e Prishtinës – Drejtorinë e Kulturës, për huazimin e një makine Offset, pjesë e makinerive të ish-shtëpisë botuese ‘Rilindja’, të cilat u blenë nga Komuna e Prishtinës në vitin 2020, me iniciativën e nismave qytetare ArkiviRilindja dhe Hapësira.

Ky bashkëpunim synon promovimin e historisë së shtypshkronjës dhe trashëgimisë së botimit në Kosovë, duke mundësuar ekspozimin publik të kësaj makinerie në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë.

Përmes kësaj iniciative, synojmë të rikthejmë në vëmendje një pjesë të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore, duke vlerësuar rolin e shtypshkronjës ‘Rilindja’ në zhvillimin e kulturës së shkruar dhe botimit në Kosovë”, ka njoftuar Biblioteka Kombëtare e Kosovës në rrjete sociale.

Java e Bibliotekës 2026 do të mbahet në BKK nga 28 shtator-3 tetor 2026. Temë e sivjetme e këtij edicioni të javës është “RILINDJA – trashëgimia e Rilindjes në kujtesën kulturore shqiptare”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat afatshkurtra…