Gruaja 34-vjeçe në Australi sjell në jetë katër vajza identike

21 korrik 2026 | 23:31

Një grua 34-vjeçare nga Australia ka sjellë në jetë katër vajza identike të konceptuara natyrshëm, në një shtatzëni jashtëzakonisht të rrallë që mjekët e kanë cilësuar si me rrezik shumë të lartë.

Jenitar Na’amoana lindi vajzat me prerje cezariane më 14 korrik, në javën e 28-të të shtatzënisë. Katër foshnjat janë katërnjakë monozigotikë, që do të thotë se janë zhvilluar nga një vezë e vetme e fekonduar, e cila është ndarë në katër embrione, raporton BBC.

Çifti, Jenitar dhe bashkëshorti i saj Jortham, ishin tashmë prindër të katër fëmijëve të tjerë dhe mbetën të habitur kur mësuan se prisnin katërnjakë.

Specialistja e mjekësisë fetale dhe obstetrikes, Dr. Alexa Bendall, e cila ndoqi shtatzëninë që nga fillimi, tha se katërnjakët identikë ndodhin në rreth një nga çdo 15 milionë shtatzëni. Ajo shtoi se fakti që të katër fetuset ndanin të njëjtën placentë është diçka pothuajse e padëgjuar në praktikën mjekësore.

Për shkak të rrezikut të lartë, gruaja u shtrua në spital në javën e 25-të për monitorim të vazhdueshëm. Sipas mjekëve, objektivi ishte që shtatzënia të arrinte të paktën javën e 28-të.

“Fakti që kemi katër foshnja të shëndetshme të lindura në javën e 28-të e katër ditë është i jashtëzakonshëm”, tha Dr. Bendall, duke shtuar se nëna arriti të shmangte çdo ndërlikim serioz gjatë shtatzënisë.

Vajzat janë pagëzuar Emily, Harriet, Catherine dhe Alexa, kjo e fundit në nder të mjekes që kujdesej për nënën. Ato po trajtohen në njësinë e kujdesit intensiv neonatal dhe, sipas mjekëve, gjendja e tyre është shumë e mirë.

Familja ka nisur një fushatë online për mbledhjen e fondeve për blerjen e një furgoni me të paktën 10 ulëse.

Deri tani janë mbledhur mbi 37 mijë dollarë australianë. Në mesazhin e saj, nëna tha se ardhja në jetë e katër “mrekullive” të saj ka sjellë gëzim të madh, por edhe sfida të papritura në kujdesin për katër të porsalindura njëkohësisht.

Edhe pse katërnjakët e konceptuar natyrshëm janë shumë të rrallë dhe vlerësohet se ndodhin në rreth një në 700 mijë lindje, rastet kur ata janë identikë janë shumë më të rralla, duke e bërë këtë lindje një ngjarje të jashtëzakonshme në botën e mjekësisë. /Gazeta Shneta/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bekim Ugzmaili, 52-vjeçari që humbi jetën në vetaksidentin fatal të…