Zëvendëskomandanti i KFOR-it takon kryetarin e Mitrovicës së Veriut, s’jepen detaje për diskutimin
Zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Federico Collina, së bashku me shefin e shtabit të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU), nënkolonelin Massimo Ienco, kanë takuar kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, në objektin e komunës, ka njoftuar KFOR-i.
KFOR-i, pa dhënë detaje mbi temat e diskutuara, ka bërë të ditur se takimi ka shërbyer si “mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe forcimin e bashkëpunimit”.
“Gjatë takimit, gjeneral brigade Collina paraqiti një pasqyrë të aktiviteteve të KFOR-it dhe rikonfirmoi përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, është thënë në njoftim.
KFOR-i ka bërë me dije se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si aktorë të reagimit në fushën e sigurisë.



