Listat në Serbi për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Sopi: Të reagojë shteti i Kosovës

21 korrik 2026 | 14:37

Një lëvizje nacionaliste serbe ka bërë thirrje publike për arrestimin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke publikuar lista me emra dhe të dhëna personale të tyre.

Këto thirrje vijnë në një kohë kur vazhdojnë arrestimet e shqiptarëve nga autoritetet serbe në pikat kufitare, kinse nën dyshime për krime lufte.

Lidhur me këtë, Fatmir Sopi, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), është shprehur se në Serbi gjithmonë ka pasur lista për arrestimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sopi konsideron se publikimi i listave është i panevojshëm, ndërsa ka shtuar se shteti i Kosovës duhet të ankohet pranë organizatave ndërkombëtare, në mënyrë që situata të tilla të mos ndodhin.

“Shteti ynë duhet të jetë në nivel të detyrës, duhet të ankohet për këto gjëra pranë organizatave, si shtet i cili duhet t’i mbrojë qytetarët e vet dhe të ketë kujdes, edhe diplomacia jonë të angazhohet që me shtetet mike të bëjë presion mbi Serbinë, që këto gjëra të mos ndodhin dhe të ekzistojë një liri e lëvizjes së të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre, për shembull politike, apo të kaluarën e tyre, në qoftë se, normalisht, Serbia të kaluarën tonë si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e konsideron armiqësore”, ka deklaruar ai.

Ai u ka bërë apel të gjithë ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë qytetarëve që të mos kalojnë në asnjë rrethanë në territorin e Serbisë, sepse do të përballen me kërcënime, arrestime apo edhe vrasje.

“Ne kemi pasur punën tonë në luftë për çlirimin e vendit tonë, mirëpo shumë herë u kemi bërë apel pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë, të mos kalojnë nëpër territorin e Republikës së Serbisë, sepse do të përballen me arrestime, me kërcënime, mund të ndodhë edhe me vrasje. Prandaj, shumë herë apeli ynë ka qenë, edhe pse një pjesë, dikush-dikush, nuk është duke e përfillur, mirëpo po përballen me pasoja, e sidomos po përballen me pasoja familjarët e tyre, se duhet të merren me punën e tyre edhe me lirimin e tyre. Bëjmë prapë apel që jo vetëm pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe qytetarët e thjeshtë të rezervohen gjatë udhëtimeve dhe qëndrimeve në Serbi, sepse janë të disponuar armiqësisht ndaj nesh. Prandaj, duhet të kemi kujdes të gjithë, sepse akuza edhe për qytetarët e thjeshtë është se je pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më së lehti për t’i dënuar ata”, ka shtuar ai.

Ai ka përmendur edhe deklaratën e fundit të ministres serbe për “spastrimin etnik” në Kosovë.

“Mirëpo, në këtë kohë kur flitet për marrëveshje, jemi në paqe, kur Serbia e ka pranuar humbjen dhe Serbia është tërhequr me turp pas gati një shekulli pushtim mbi Kosovën, ne konsiderojmë se ato lista dhe ato kërkesa janë të panevojshme, kur kemi parasysh po ashtu edhe kërkesat e prononcimet e pushtetarëve, kur ministrja e Serbisë që para disa kohe kërkon dhe thotë se po të isha në vendin e Millosheviqit do ta zbrazja Kosovën, do ta spastroja etnikisht Kosovën dhe ajo do të ishte tokë serbe”, ka deklaruar ai. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Argjentinës, Leandro Paredes ishte mjaft aktiv pas përfundimit…