Rusinovci: Kosova duhet të krijojë fond për kompensimin e fermerëve të dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore
Profesori universitar dhe eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci, ka kërkuar krijimin e një fondi të veçantë për kompensimin e fermerëve që pësojnë dëme nga fatkeqësitë natyrore, pas dëmeve të shkaktuara nga breshëri të hënën në disa zona të Kosovës.
Rusinovci në një intervistë për “Ekonomia Online” tha se breshëri i ditëve të fundit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në regjionin e Istogut dhe në disa fshatra të Skenderajt, ndërsa dëme më të vogla janë evidentuar edhe në komunat e Lipjanit dhe Ferizajt.
Ai tha se fillimisht duhet të bëhet vlerësimi profesional i dëmeve nga komisionet në nivel lokal, në koordinim me nivelin rajonal dhe qendror, në mënyrë që fermerët e prekur të mund të kompensohen.
“Po realisht në bujqësi ndodhin edhe të tilla fatkeqësi natyrore që i quajmë ne, siç është breshëri që ishte konkretisht dje në regjionin e komunës së Istogut me shumë fshatra përreth, në regjionin e Skenderajt, me disa fshatra po ashtu me dëme të konsiderueshme. U evidentuan disa dëme të vogla në raport me Istogun janë më të vogla në komunën e Lipjanit dhe të Ferizajt. Por këto dëme normal që janë të konsiderueshme dhe fjalën përfundimtare mund ta thonë komisionet profesionale që ngrihen në nivel lokal, në koordinim të plotë me nivelin rajonal dhe nivelin qendror. Përderisa nuk ka një raport të vlerësimit, sepse nuk bëhet fjalë për hulumtim të mirëfilltë aty, por për një vlerësim se sa është shkalla e dëmeve që mund të jetë, do të thotë, e përshkallëzuar 20, 30, 50, 80, 90% e kështu me radhë, varësisht prej intensitetit të breshrit që ka rënë, atëherë raporti i tillë duhet të përcillet, domethënë, i koordinuar deri në nivel qendror, që të paktën presim një kompensim për fermerët që janë atakuar nga këto fatkeqësi natyrore, konkretisht nga breshëri”, tha ai.
Eksperti i bujqësisë paralajmëroi se ndryshimet klimatike po sjellin çrregullime në balancën mes reshjeve dhe temperaturave, duke e bërë bujqësinë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj kushteve ekstreme atmosferike.
Rusinovci tha se Kosovës i mungon një fond i veçantë për përballimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, duke përmendur krahas breshrit edhe thatësirat, zjarret, tërmetet dhe përmbytjet.
Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të autorizojnë komunat për të dalë në terren dhe të evidentojnë dëmet në secilën parcelë të prekur.
Ndërkaq, Rusinovci ka ngritur edhe çështjen e mbrojtjes nga breshëri përmes sistemeve kundër breshërit, duke thënë se nevojitet koordinim institucional edhe me faktorin ndërkombëtar.



