Bashkëthemeluesit e AKB-së: Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe integrim evropian pa institucione funksionale

22 korrik 2026 | 15:25

Bashkëthemeluesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) vlerësuan se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe partneritet të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si parakushte për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, rritje të investimeve dhe avancim të proceseve integruese.

Kryetari dhe bashkëthemeluesi i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka zhvilluar të mërkurën në Prizren një takim me bashkëthemeluesit e AKB-së, ku u diskutuan zhvillimet socio-ekonomike dhe politike në Kosovë, si dhe ndikimi i trendeve globale në ekonominë dhe sigurinë e vendit.

Në takim morën pjesë bashkëthemeluesit: Përparim Hoxha, Nexhat Hasani, Shpend Kallaba, Mustafë Neziri, Shemsi Dresha dhe Fadil Maxhuni.

Të pranishmit zhvilluan një debat të hapur mbi sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe domosdoshmërinë e krijimit sa më parë të institucioneve të plota dhe funksionale.

Pjesëmarrësit u pajtuan se pa institucione stabile, funksionale dhe me legjitimitet të plotë nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, investime serioze, siguri juridike për bizneset dhe avancim të proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian.

Ata theksuan se zvarritja e krijimit të institucioneve dëmton besimin e investitorëve, ngadalëson reformat dhe pengon realizimin e potencialit ekonomik të vendit.

Po ashtu u vlerësua se Kosova ka arritur sukseset e saj falë sakrificës së qytetarëve dhe mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleati strategjik i Kosovës, si dhe të Bashkimit Evropian dhe vendeve mike, të cilët kanë qenë dhe mbeten mbështetës të shtetndërtimit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se biznesi ka nevojë për stabilitet institucional, siguri juridike dhe vendimmarrje të shpejtë. “Pa institucione funksionale nuk ka ekonomi të fortë, nuk ka investime të reja dhe nuk mund të ecim me ritmin që kërkon integrimi evropian. Kosova duhet të ruajë dhe të forcojë partneritetin strategjik me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, sepse ky partneritet mbetet garancia më e madhe për zhvillimin ekonomik, demokracinë, sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit”, ka tha ai.

Bashkëthemeluesit e AKB-së ritheksuan gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën dhe përvojën e tyre në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe për krijimin e një klime më të favorshme për bizneset vendore dhe investitorët e huaj.

Në përfundim, Aleanca Kosovare e Bizneseve u bën thirrje të gjitha forcave politike që, përtej dallimeve partiake, të veprojnë me përgjegjësi për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve funksionale, në interes të qytetarëve, ekonomisë dhe të ardhmes evropiane të Republikës së Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Bashkimit Evropian ka kërkuar që të ndërpritet rrënimi…