Ronaldo e kurorëzon Spanjën: ‘I dha leksion Argjentinës’, e zgjedh edhe fituesin e Topit të Artë
Legjenda braziliane Ronaldo Nazario nuk i ka kursyer elozhet për Spanjën pas triumfit në finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Argjentinës.
Ish-sulmuesi i famshëm e vlerësoi paraqitjen e skuadrës së Luis de la Fuentes, duke theksuar se spanjollët e dominuan ndeshjen dhe e merituan plotësisht trofeun.
Po ashtu, ai e dha edhe mendimin e tij për fituesin e ardhshëm të Topit të Artë.
Në një intervistë pas finales, Ronaldo u shpreh: “Spanja i dha një leksion futbolli Argjentinës. Ishte skuadra më e mirë në fushë dhe e meritoi plotësisht ta fitonte Kupën e Botës. Argjentina vuajti shumë dhe në disa momente u dominua plotësisht.”
Braziliani shtoi se suksesi i Spanjës nuk ishte aspak rastësi, por rezultat i punës së bërë prej vitesh.
“Ky ekip luan futboll modern, me intensitet dhe shumë cilësi. Kanë futbollistë të rinj, por edhe lojtarë me eksperiencë. E kanë ndërtuar një skuadër fantastike.”
Ronaldo u ndal edhe te gara për Topin e Artë, duke deklaruar se për të nuk ka dilema se kush duhet ta fitojë çmimin më prestigjioz individual.
“Për mua, Rodri duhet ta fitojë Topin e Artë. Ai e ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm dhe e kurorëzoi gjithçka me triumfin në Kupën e Botës. Ka qenë lider në mesfushë dhe vendimtar në momentet më të rëndësishme”.
Në fund, Ronaldo e vlerësoi edhe Argjentinën, duke theksuar se humbja në finale nuk e zbeh rrugëtimin e saj.
“Argjentina e zhvilloi një Botëror shumë të mirë dhe duhet të jetë krenare për atë që e arriti. Por në finale u përball me një Spanjë që ishte superiore dhe e tregoi këtë në fushë”.
Deklaratat e Ronaldos pritet të nxisin debat, pasi ai jo vetëm që e cilësoi Spanjën skuadrën më të mirë të turneut, por e vendosi edhe Rodrin në krye të listës së favoritëve për ta fituar Topin e Artë 2026.



