Ancelotti i thotë ‘jo’ Italisë, mbetet i përkushtuar ndaj Brazilit
Carlo Ancelotti ka refuzuar ofertën për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë, duke i dhënë fund spekulimeve për një rikthim të mundshëm në pankinën e “Azzurrëve”.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Federata Italiane e Futbollit kishte kontaktuar trajnerin aktual të Brazilit, me synimin për ta bindur të rikthehej në vendlindje dhe të merrte drejtimin e përfaqësueses italiane.
Megjithatë, Ancelotti ka refuzuar ofertën dhe u ka bërë të qartë drejtuesve të federatës se është plotësisht i përkushtuar ndaj projektit që ka nisur me Kombëtaren e Brazilit.
Interesimin e Federatës Italiane e ka konfirmuar edhe ish-kapiteni dhe legjenda e Italisë, Paolo Maldini, i cili ka bërë të ditur se drejtuesit e futbollit italian kishin zhvilluar kontakte edhe me Pep Guardiolën dhe Ancelottin në kuadër të kërkimit për një trajner të ri.
Megjithatë, tekniku italian nuk ka ndërmend të largohet nga posti aktual, pasi beson se ky nuk është momenti për të ndërprerë punën me “Seleçaon”.
Me këtë vendim, Ancelotti i mbyll për momentin dyert e një rikthimi te kombëtarja e vendlindjes, ndërsa fokusi i tij mbetet te Brazili dhe objektivat që synon të arrijë me përfaqësuesen braziliane.



