Ilir Seferi rrëfen historinë e shtatores së Shën Terezës në Augsburg: Një projekt që bashkoi shqiptarët
Bisedë me Ilir Seferin, iniciatorin dhe realizuesin kryesor të ndërtimit të shtatores së Shën Terezës në Augsburg
Epoka e Re: Si lindi ideja për ndërtimin dhe vendosjen e shtatores së Shën Terezës në Augsburg?
Ilir Seferi: Më 26 gusht të vitit 2010 pata mundësinë të udhëtoj në Shkup së bashku me Bernd Posselt dhe një grup pune, ku bënim pjesë edhe unë dhe Mislim Berisha. Vizita ishte organizuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të larta shtetërore, ambasadorë dhe përfaqësues ndërkombëtarë. Megjithëse ceremonia ishte madhështore, unë mbeta me një ndjenjë të paplotësuar. Më dukej se figura e Nënë Terezës nuk po prezantohej në mënyrën që meritonte, si një personalitet që i përket mbarë botës, por që rrënjët i ka në popullin shqiptar. Pikërisht aty lindi ideja që një ditë të realizoja një shtatore të saj në Augsburg, si shenjë respekti për veprën e saj dhe si dëshmi e kontributit shqiptar në historinë botërore.
Epoka e Re: Cilët ishin hapat e parë, emocionalë dhe praktikë, për ta çuar përpara këtë ide?
Ilir Seferi: Kur pashë shtatoren në Shkup, mendova se ajo nuk e pasqyronte ngrohtësinë, dashurinë dhe mirësinë autentike shqiptare që përfaqësonte Nënë Tereza. Ajo ishte një grua që, me buzëqeshjen dhe fjalën e saj, preku zemrat e miliona njerëzve. Aty vendosa që, nëse do të ndërtoja një shtatore, ajo duhej të ishte ndryshe. Doja një Nënë Terezë me fytyrë të qeshur, me dorën e zgjatur drejt njerëzve, ashtu siç e kujtojnë ata që e kanë njohur dhe admiruar veprën e saj. Kjo ishte pika e nisjes së projektit.
Epoka e Re: Pse menduat se kjo ide mund të realizohej në Gjermani? A ishte e nevojshme të përgatitej terreni për ta bërë të mundur?
Ilir Seferi: Unë gjithmonë kam besuar se çdo popull duhet të lërë gjurmët e veta pozitive kudo që jeton. Shqiptarët kanë një histori të lashtë dhe vlera të jashtëzakonshme që meritojnë të njihen. Nënë Tereza nuk është vetëm një figurë shqiptare. Ajo është simbol botëror i dashurisë, humanizmit dhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë. Pikërisht për këtë arsye mendova se figura e saj kishte vend edhe në Gjermani. Për vite me radhë kam biseduar me shumë personalitete, miq dhe vendimmarrës në Augsburg dhe Mynih, duke ua shpjeguar rëndësinë e saj. Mendoj se njerëzit e kuptuan shumë shpejt se kjo nuk ishte thjesht një shtatore, por një mesazh për bashkëjetesën, respektin dhe humanizmin.
Epoka e Re: Kush ju ndihmoi më së shumti në gjetjen e vendit ku do të vendosej shtatorja?
Ilir Seferi: Një rol të rëndësishëm pati ish-kryetari i Bashkisë së Augsburgut, z. Kurt Gribl, me të cilin më lidh një miqësi e gjatë. Unë i thashë se kishte ardhur koha që ne shqiptarët t’i shprehnim mirënjohjen shoqërisë gjermane për mbështetjen që na dha në vitet më të vështira. Gjermania hapi dyert për shumë familje shqiptare dhe u bë atdheu ynë i dytë. Këtu kanë lindur edhe fëmijët tanë. Në bisedat tona i shpjegova se dëshiroja të vendosja një figurë që pasqyronte më së miri rrënjët, kulturën dhe vlerat tona shqiptare. Ai e mbështeti këtë ide që në fillim.
Epoka e Re: Pse u zgjodh parku pranë spitalit për vendosjen e shtatores, kur dihet se ajo mund të vendosej edhe në një nga sheshet e qytetit?
Ilir Seferi: Kur ndërtohen projekte të tilla, ato duhet t’i përkasin të gjithë komunitetit dhe jo vetëm iniciatorit. Për këtë arsye i thashë Bashkisë së Augsburgut që vendndodhjen ta përcaktonte vetë ajo. Pas shumë diskutimeve u vendos që shtatorja të vendosej në parkun pranë zonës spitalore. Arsyetimi ishte shumë domethënës. Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj shëroi plagët e shpirtit dhe u dha shpresë njerëzve. Prandaj një hapësirë e gjelbër, pranë institucioneve shëndetësore, u konsiderua vendi më i përshtatshëm për të.
Epoka e Re: Si vepruat më pas? Kush pati mirëkuptimin për ta mbështetur këtë nismë?
Ilir Seferi: Gjatë vizitës në Shkup pata rastin të bisedoja edhe me presidentin e atëhershëm të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. I tregova mendimin tim për ceremoninë dhe i thashë se figura e Nënë Terezës duhej të bashkonte njerëzit dhe jo të shihej vetëm nga këndvështrimi i një shteti apo i një kombi. E pyeta pse nuk janë ftuar fqinjët, si p.sh. Republika e Kosovës. Në atë kohë, Maqedonia nuk e njihte Kosovën. Në fund të bisedës i thashë me bindje se një ditë do ta realizoja një shtatore të Nënë Terezës në Augsburg. Një shtatore autentike shqiptare, e cila më vonë u bë realitet.
Epoka e Re: Nga kush patët përkrahjen më të madhe, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë moral?
Ilir Seferi: Mbështetja më e madhe erdhi nga familja ime. Pa përkrahjen e tyre ky projekt do të ishte shumë më i vështirë. Menjëherë pas tyre erdhën sipërmarrësit shqiptarë të Augsburgut dhe rrethinës. Kur ua prezantova projektin, shumica e kuptuan se bëhej fjalë për një vepër që do të mbetej aty për breza të tërë. Ata e mbështetën me zemër dhe me mjete financiare, sepse e panë si një investim në identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore.
Epoka e Re: A patët sfida gjatë këtij rrugëtimi? Nëse po, cilat ishin ato?
Ilir Seferi: Sfida më e madhe ishte gjetja e skulptores së duhur. Unë nuk kërkoja thjesht një shtatore. Kërkoja një paraqitje të Nënë Terezës që të përcillte dashuri, qetësi dhe afërsi njerëzore. Vizitova shumë skulptorë në Shqipëri dhe në Kosovë, por shumica punonin me modele të ngjashme. Më pas mësova për skulptoren gjermane Marlies Hof, e cila kishte realizuar një model të vogël të Nënë Terezës pikërisht ashtu siç e imagjinoja unë. E kontaktova menjëherë. Ajo ishte admiruese e madhe e Nënë Terezës dhe e pranoi me entuziazëm projektin. Bashkëpunimi me të ishte vendimtar për suksesin e veprës.
Epoka e Re: A patët reagime nga diplomacia e Maqedonisë së Veriut dhe si u reflektua kjo nismë?
Ilir Seferi: Po, pati interesim dhe diskutime të ndryshme. Në ato biseda unë kam mbrojtur gjithmonë bindjen time se Nënë Tereza është një figurë universale, por me rrënjë shqiptare që duhen respektuar dhe njohur. Për mua ishte e rëndësishme që projekti të realizohej në mënyrë të pavarur dhe me identitet të qartë. Kjo ishte arsyeja pse vendosa që iniciativën ta çoja deri në fund me mbështetjen e komunitetit shqiptar dhe të institucioneve mike. Ata donin që ky projekt të ishte tërësisht maqedonas, por pa sukses.
Epoka e Re: A patët reagime nga ndonjë institucion apo diplomaci e vendeve të tjera? Nëse po, si ishte reagimi i tyre?
Ilir Seferi: Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqësues të ambasadave të Indisë dhe Bangladeshit, gjë që i dha ngjarjes një dimension ndërkombëtar. Ata, sapo panë se vendi kryesor i ishte dhënë ambasadorit të Republikës së Kosovës, Dr. Vilson Mirdita, u larguan. Pati edhe reagime nga organizata të ndryshme, por ato nuk ndikuan në realizimin e projektit. Në fund, mesazhi i Nënë Terezës ishte shumë më i fortë se çdo debat.
Epoka e Re: Si e priti komuniteti shqiptar këtë ide? A patët përkrahjen e duhur?
Ilir Seferi: Kur gjithçka ishte pothuajse gati, mendova se ky nuk duhej të ishte projekti i Ilir Seferit, por projekti i shqiptarëve të Augsburgut. Prandaj ftova sipërmarrësit dhe aktivistët e komunitetit që të bëheshin pjesë e tij. Përkrahja ishte e jashtëzakonshme. Kontribut dhanë Besa Foundation, Shoqata Atdheu, shumë biznese shqiptare dhe qindra bashkatdhetarë. Mbështetje pati edhe nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës. Ky u bë një projekt i përbashkët i komunitetit shqiptar, i qytetit të Augsburgut dhe i Republikës së Kosovës.
Epoka e Re: A ishte e lartë kostoja e projektit dhe si u mbuluan shpenzimet?
Ilir Seferi: Kostoja ishte pesëshifrore, por e përballueshme. Ajo u mbulua nga kontributet e shqiptarëve, ku secili dha sipas mundësive të veta. Pikërisht kjo e bën projektin edhe më të vlefshëm, sepse është rezultat i një përkushtimi të përbashkët.
Epoka e Re: A ka pasur edhe shtatore të tjera të Shën Terezës të vendosura në Gjermani apo në vende të tjera të Evropës Perëndimore?
Ilir Seferi: Në kohën kur u vendos, më 9 prill 2011, kjo ishte ndër shtatoret e para të këtij lloji në një hapësirë publike në Evropën Perëndimore dhe, sigurisht, e para me këtë koncept artistik në Gjermani.
Epoka e Re: A keni diçka për të shtuar në fund të kësaj bisede?
Ilir Seferi: Për mua ky projekt ka qenë gjithmonë më shumë sesa një shtatore. Ai dëshmon se, kur shqiptarët bashkohen rreth një ideje të mirë, mund të realizojnë projekte që mbeten për brezat që vijnë. Jam veçanërisht krenar që në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe Republika e Kosovës në nivel institucional. Shtatoren e zbuloi ministri i Kulturës i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi. Ideja ime ka qenë dhe mbetet që kjo shtatore të frymëzojë brezat e rinj. Ndoshta një ditë një mjek, një profesor apo një shkencëtar shqiptar që jeton në Augsburg do të kalojë pranë saj dhe do të kujtojë se edhe ai mund të lërë gjurmë në shoqëri, ashtu siç la Nënë Tereza. Ndoshta një ditë edhe Qendra Klinike Universitare në Augsburg do të mbajë emrin e Nënë Terezës. Në fund të fundit, kjo është arsyeja pse u ndërtua kjo shtatore: për të kujtuar se mirësia, përkushtimi dhe identiteti nuk njohin kufij.




