Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin e Suedisë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë, Jonas Westerlund.
Sipas njoftimit, gjatë takimit, Kurti e ka falënderuar ambasadorin për bashkëpunimin e mirë dhe të frytshëm, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës.
“Në takim u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, me mërgatën si urë të fortë lidhëse, si dhe për mundësitë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, nga ekonomia e tregtia, arsimi e teknologjia dhe fusha të tjera. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti nënvizoi potencialin dhe mundësitë që ofron Republika e Kosovës për investitorët”, thuhet në njoftim.
Kurti i ka uruar ambasadorit Westerlund suksese në angazhimet e reja dhe ka shtuar se ai do të jetë përherë i mirëseardhur në Kosovë.



