Konjufca: Specialja të mos marrë vendim politik. Do të ishim shumë të revoltuar nëse liderët e UÇK-së do të dënoheshin

27 korrik 2026 | 12:03

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Gjykatës Speciale në Hagë që “të mos marrë vendim politik” kur më 16 shtator do ta shpallë aktgjykimin në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pasi ka pritur ministrin e deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, Konjufca është pyetur se cili do të ishte qëndrimi i institucioneve të Kosovës nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi do të dënoheshin. “Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos marrë vendim politik, por të marrë vendim të drejtësisë. E nëse merr vendim të drejtësisë, ne të gjithë e dimë çka është drejtësi, sepse ne jemi dëshmitarë si popull, që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Po të kishte qenë luftë kriminale, kurrë, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Këtë mbajeni në mend”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se “nuk ka mundësi një luftë kriminale të mbështetet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës”.

“Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë afër me figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar në trajnimin e oficerëve të UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme. Pse e kanë bërë këtë? Sepse ushtria jonë i ka kontribuar ndaljes së gjenocidit të Millosheviqit. Ky është kuptimi i luftës së UÇK-së. E të gjithë të akuzuarit në Hagë i kanë kontribuar këtij qëllimi. Kjo është drejtësia. Nëse vendoset me drejtësi, vendoset kështu”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se populli i Kosovës do të ishte “shumë i revoltuar” nëse vendimi “nuk është me drejtësi”.

“E ne nuk dëshirojmë si popull… bile do të ishim shumë të revoltuar, shumë të revoltuar, nëse vendimi nuk është me drejtësi, por është vendim politik”. Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë ka vendosur në fillim të këtij muaji që ta shtyjë përfundimisht shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e caktuar 16 shtatorin si datën për ta kumtuar vendimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Prof. Agim R. ZOGAJ Persekutimi i qëllimshëm i komandantëve…