“Për shkak të ‘Pandës’ ndodhi Reçaku” – Nëna e viktimës së rastit “Panda”: Do ta padis shtetin, Vuçiqi ta tregojë të vërtetën
Ljubica Trifoviq, nëna e Dragan Trifoviqit, njërit prej të rinjve të vrarë në masakrën në lokalin “Panda” në Pejë në dhjetor të vitit 1998, ka drejtuar akuza të rënda ndaj institucioneve të Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, duke kërkuar që pas 28 vitesh të zbulohet e vërteta për këtë krim. Në një intervistë për portalin serb Nova.rs, ajo deklaron se është e bindur se autorët nuk ishin shqiptarë, por se pas vrasjes qëndronin strukturat e sigurisë së shtetit serb. Sipas saj, përgjegjësia nuk qëndron vetëm te ekzekutorët, por mbi të gjitha te ata që dhanë urdhrin. “Në fund do ta padis shtetin. Le ta thonë të vërtetën. Vuçiq ka deklaruar se opinioni do të tronditet kur ta mësojë të vërtetën. Atëherë le ta tregojë kush i vrau fëmijët tanë”, ka deklaruar Trifoviq.
Ajo akuzon presidentin serb se prej vitesh pretendon se di të vërtetën, por nuk ka pranuar asnjëherë familjarët e viktimave, ndonëse, sipas saj, ua ka premtuar këtë disa herë. Trifoviq thotë se nga kabineti i Vuçiqit është kontaktuar vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por kurrë për t’u dhënë përgjigje mbi vrasjen e gjashtë të rinjve në Pejë. Nëna e viktimës shpreh gjithashtu bindjen se masakra në lokalin “Panda” u shfrytëzua politikisht nga regjimi i atëhershëm serb, duke deklaruar se “po të mos kishte ndodhur ‘Panda’, nuk do të kishte ndodhur as Reçaku”.
Ajo thekson se familjet e viktimave nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm drejtësi dhe zbardhjen e plotë të rastit. “Nuk ka rëndësi kush e kreu aktin, por kush dha urdhrin. Kjo është pyetja kryesore. Ne e dimë të vërtetën prej kohësh, por shteti vazhdon të heshtë”, është shprehur ajo raporton Dukagjini.
Trifoviq ka kritikuar edhe autoritetet serbe për, siç thotë, heshtjen e tyre për raste të tjera të pazbardhura, duke përmendur vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe sulmin e armatosur në Banjskë. Ajo ka akuzuar institucionet se shmangin përgjegjësinë dhe refuzojnë të përballen me të kaluarën. Në fund të intervistës, ajo rithekson se nuk do të ndalet derisa të zbardhet rasti.
Masakra në lokalin “Panda” në Pejë ndodhi më 14 dhjetor 1998, kur u vranë gjashtë të rinj serbë. Fillimisht autoritetet e atëhershme serbe ia atribuuan përgjegjësinë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kjo nuk ishte e vërtetë, ndërkohë është vërtetuar se kjo masakër kishte ndodhë pikërisht nga forcat serbe.



