Kuvendi i LDK-së, Hoti: Kryetari i ri do të dalë nga zgjedhjet që do t’i shpallë partia, jo të enjten

28 korrik 2026 | 16:51

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se lidershipi i ri i partisë së tij do të jetë rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme në LDK, të cilat, sipas tij, do të zhvillohen në përputhje me Statutin dhe rregulloret e partisë.

“Lidershipi i ri i LDK-së do të jetë rezultat i zgjedhjeve. Zgjedhjet do të jenë transparente, me afate të qarta dhe të arsyeshme për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të LDK-së”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Hoti ka deklaruar se thirrja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm është bërë për shkak të mospajtimit me humbjen e kësaj partie në tri palë zgjedhje parlamentare, si dhe me humbjen e dy komunave në zgjedhjet lokale.

Ai ka shtuar se kjo është bërë domosdoshmëri pasi lidershipi aktual nuk e ka respektuar standardin e vendosur në vitin 2021 nga kryetari i atëhershëm i LDK-së, Isa Mustafa, i cili kishte marrë përgjegjësinë për humbjen.

“Kuvendi nuk është thirrur kundër askujt, por është thirrur për shkak se duam një LDK të fortë për betejat politike në mbrojtje të interesit të Kosovës. Na duhet një LDK e fortë për ta larguar nga pushteti këtë mazhorancë që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë:

Mbi Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së

Të enjten mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së me kërkesën e delegatëve. Ideologët e LDK-së, duke ndjekur praktikat e partive simotra të LDK-së në vendet e Bashkimit Evropian, e kanë paraparë këtë mekanizëm statutar për ushtrimin e kontrollit demokratik të delegatëve ndaj lidershipit të LDK-së.

Kuvendi i LDK-së është thirrur pasi nuk pajtohemi me humbjen në tri palë zgjedhjeve parlamentare dhe me humbjen e dy komunave në zgjedhjet lokale. Nuk mund të ulim kokën dhe të ndihemi rehat me këto rezultate të dobëta, siç po na thotë, praktikisht, lidershipi aktual i LDK-së duke kundërshtuar thirrjen e Kuvendit. Një LDK që e ul kokën përballë këtyre humbjeve nuk i shërben Kosovës. Një LDK e tillë mund të jetë vetëm në interes të kundërshtarëve politikë.

Thirrja e këtij Kuvendi u bë domosdoshmëri pasi lidershipi aktual nuk e respektoi standardin e vendosur në vitin 2021, kur Kryetari Mustafa mori përgjegjësinë dhe hapi rrugën përmes së cilës në krye të LDK-së u zgjodh Kryetari Abdixhiku.

Kuvendi nuk është thirrur kundër askujt, por është thirrur për shkak se duam një LDK të fortë për betejat politike në mbrojtje të interesit të Kosovës. Na duhet një LDK e fortë për të larguar nga pushteti këtë mazhorancë që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës: (1) ka dëmtuar aleancat strategjike të Kosovës, (2) nuk e ka zbatuar Marrëveshjen e Uashingtonit, (3) e ka braktisur dialogun për njohje reciproke në Bruksel e Uashington dhe ka përfunduar në Ohër duke marrë obligime përmes një aneks-marrëveshjeje të panënshkruar, (4) aferat në energjetikë, abuzimet me buxhetin e shtetit, tenderët me negocim e nepotizmi në emërimet politike e kanë karakterizuar gjithë qeverisjen 6-vjeçare të LVV-së, (5) presioni ndaj organeve të drejtësisë, mos emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit në kundërshtim me Kushtetutën, shkarkimi i Kryesueses së KQZ-së, shkarkimet joligjore të bordeve dhe organeve të tjera të pavarura, instrumentalizimi i RTK-së dhe i AKI-së, mosparaqitja e kryeministrit para organeve të drejtësisë e probleme të tjera e kanë përkeqësuar sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve, (6) dështimet në ekonomi e në investime kapitale, inflacioni e rritja e kostove të jetesës, mungesa e investimeve në shëndetësi e probleme të tjera ekonomike e sociale e kanë përkeqësuar mirëqenien e familjeve. Këto dhe çështje të tjera të interesit publik përbëjnë betejën tonë politike, për të cilat beteja na duhet një LDK e fortë.

Kuvendi i LDK-së nuk është thirrur për të legjitimuar në krye të LDK-së një person tjetër. Lidershipi i ri i LDK-së nuk mund të paracaktohet nga askush, as nga grupet jashtë LDK-së, as nga dëshirat e preferencat brenda LDK-së.

Lidershipi i ri i LDK-së do të jetë rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme në LDK, të cilat do të zhvillohen sipas Statutit dhe rregulloreve të LDK-së. Zgjedhjet do të jenë transparente, me afate të qarta dhe të arsyeshme për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të LDK-së. Zgjedhjet do të mbikëqyren në përpikëri nga organet kompetente të LDK-së për të siguruar rregullsinë, transparencën dhe gjithëpërfshirjen. Vetëm zgjedhjet e tilla sigurojnë konkurrencë zgjedhore, që nga niveli i nëndegëve dhe degëve e deri te strukturat qendrore të LDK-së. Nuk ka rrugë tjetër për zgjedhjen e lidershipit të LDK-së përveçse përmes këtij procesi të përcaktuar në Statutin e LDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vozinha, portieri 40-vjeçar që mori vlerësime të mëdha për paraqitjet…