Murati pasi e votuan nënkryetaren e Listës Serbe: Gjykata Kushtetuese ka thënë se s’duhet të ketë kandidat tjetër
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës se procesi është përmbyllur me mungesën e njërit prej nënkryetarëve.
Ndërkaq, lidhur me votimin e deputetes nga Lista Serbe dhe qëndrimin e LVV-së ndaj kësaj partie, Murati tha se pozita e nënkryetarit nga komuniteti serb është e përcaktuar me Kushtetutë dhe se, sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë këtë të drejtë Listës Serbe.
“Siç e dini, çështja e nënkryetarit nga komuniteti serb, pra jo shumicë serb, është e përcaktuar në Kushtetutë. Ne gjatë vitit të kaluar, pra në legjislaturën e vitit 2015, kemi insistuar dhe kemi proceduar tutje me votimin e zotëri Nenad Rašić”, tha ai.
Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se, përderisa Lista Serbe ka shumicën e deputetëve të komunitetit serb, posti i nënkryetarit i takon kësaj liste.
“Por siç e dini, në fillim të këtij viti, pra të vitit 2026, ka qenë Gjykata Kushtetuese ajo që ka thënë që nuk duhet të ketë kandidat tjetër përderisa Lista Serbe e ka shumicën, nënkryetari i Kuvendit i takon Listës Serbe. Pra Listës Serbe nënkryetarin e Kuvendit ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, jo ne”, tha ai.
Ai theksoi se LVV-ja, në legjislaturat e kaluara, kishte votuar kundër kandidatëve të Listës Serbe, por se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte përcaktuar ndryshe përbërjen e kryesisë.
“Dhe ne, siç e dini, kemi insistuar, pra kemi votuar kundër të gjithë kandidatëve nga Lista Serbe në legjislaturat e kaluara, në mënyrë pra që të arrijmë tek kandidati i vetëm që nuk ishte nga Lista Serbe nga komuniteti serb jo shumicë. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese në fillim të këtij viti me atë gjykim të dhënë ka vendosur që pozita e tillë i takon Listës Serbe për aq sa Lista Serbe ka shumicën e deputetëve të komunitetit serb jo shumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai./Ekonomia Online



