Deputeti i PDK-së, Behrami: Koalicioni VV – Lista Serbe! Qysh tash?
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike, duke hedhur akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje për raportet me Listën Serbe.
Në një postim në Facebook, Behrami ka ironizuar mundësinë e bashkëpunimit mes VV-së dhe Listës Serbe, duke pyetur nëse kjo e fundit “nuk qenka më parti terroriste”.
“Koalicioni VV–Lista Serbe! Qysh tash? Lista Serbe nuk qenka më parti terroriste, a? Sot i amnistuan?”, ka shkruar Behrami.
Ai ka përmendur edhe familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në sulmin terrorist në Banjskë, duke pyetur se çfarë do t’u thuhej familjarëve të tij.
“Çka i thoni familjes së Afrim Bunjakut?”, ka shkruar ai.
Behrami ka kritikuar gjithashtu kryetarin e VV-së, Albin Kurti, duke pretenduar se politika e tij ndaj serbëve në veri po shkon drejt dhënies së “sovranitetit real”, ndërsa qytetarëve shqiptarë, sipas tij, po u ofrohet vetëm “sovranitet simbolik”.



