Muja në Vjenë takon ministrin austriak, diskutohet për bujqësinë dhe integrimin evropian
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka zhvilluar një takim në Vjenë me ministrin federal të Bujqësisë, Pylltarisë, Klimës dhe Menaxhimit të Ujërave të Austrisë, Norbert Totschnig, ku kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në sektorin e bujqësisë.
Sipas Mujës, në takim është biseduar për hapat që Kosova po ndërmerr në procesin e integrimit evropian, me theks të veçantë në harmonizimin e politikave bujqësore dhe sistemeve të mbështetjes me standardet e Bashkimit Evropian.
Ai bëri të ditur se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe forcimi i kontrollit zyrtar të ushqimit, ndërtimi i sistemeve moderne të paralajmërimit të hershëm dhe mbrojtjes nga breshëri, si dhe përshpejtimi i digjitalizimit të sektorit të bujqësisë.
Muja theksoi se një temë e rëndësishme ishte edhe bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor, përmes lidhjes së instituteve bujqësore, shkëmbimit të ekspertëve, studentëve dhe stafit profesional, me synim ndërtimin e kapaciteteve dhe transferimin e përvojës austriake.
Ai vlerësoi Austrinë si një partnere të rëndësishme të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke shprehur besimin se bashkëpunimi mes dy vendeve do të intensifikohet dhe do të sjellë rezultate konkrete për zhvillimin e bujqësisë dhe për fermerët e Kosovës.



