Inflacioni godet peletin, ish-kreu i OEK-ut: Çmimi u rrit 59% brenda një viti
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka reaguar për rritjen e çmimit të peletit, duke vlerësuar se mungesa e stabilitetit politik dhe zhvillimet ekonomike po ndikojnë drejtpërdrejt në standardin e jetesës së qytetarëve.
Sipas tij, Kosova po përballet me një inflacion të lartë që po reflektohet në rritjen e çmimeve dhe në uljen e fuqisë blerëse.
Ai thekson se, përveç sfidave me furnizimin me energji elektrike, shqetësues mbetet edhe rritja e kostos së alternativave për ngrohje.
Në reagimin e tij, ai thekson se çmimi i një toni pelet është rritur nga 220 euro në vitin 2025 në 350 euro në vitin 2026, ose 130 euro më shumë, që sipas llogaritjeve përfaqëson një rritje prej 59.09 për qind.
Ai sqaron se kjo përqindje paraqet inflacionin specifik të peletit dhe nuk duhet të ngatërrohet me inflacionin e përgjithshëm, i cili, sipas tij, është rreth 7.5 për qind.
Sipas tij, rritja e çmimit të peletit ndikohet nga faktorë si kërkesa sezonale, kostot e prodhimit të drurit dhe zhvillimet në tregun e energjisë.
Në përfundim, ish-kryetari i OEK-së vlerëson se rritja prej mbi 59 për qind e çmimit të peletit brenda një viti përbën një goditje të rëndë për buxhetin e familjeve kosovare që përdorin këtë lëndë për ngrohje gjatë dimrit.



