LDK-ja reagon ndaj pretendimeve për presion ndaj delegatëve para Kuvendit të së enjtes

29 korrik 2026 | 11:15

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas pretendimeve të bëra në opinionin publik se delegatëve të kësaj partie po u bëhet presion për të votuar në një mënyrë të caktuar në Kuvendin e jashtëzakonshëm të së enjtes.

Sipas pretendimeve, një zyrtar i Komunës së Prishtinës dyshohet se ka kërcënuar një delegat të LDK-së me vendin e punës së një familjari të tij, në rast se ai voton pro kryetarit aktual në Kuvend.

LDK-ja ka dënuar ashpër, siç ka thënë, çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të partisë.

“LDK-ja dënon ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të LDK-së”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Po ashtu, LDK-ja ka bërë të ditur se organet kompetente të saj do të iniciojnë menjëherë procedurat statutare dhe disiplinore ndaj çdo anëtari të partisë që rezulton të jetë i përfshirë në këtë rast, pa marrë parasysh funksionin apo pozitën që mban.

Në të njëjtën kohë, LDK-ja u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për trajtimin e këtyre pretendimeve.

Reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës:

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të LDK-së.

Pamjet e publikuara në opinion, në të cilat pretendohet ushtrim i presionit nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës mbi një delegat të LDK përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, paraqesin një sjellje të papranueshme të këtyre zyrtarëve publikë e në kundërshtim të plotë me vlerat, parimet dhe Statutin e LDK-së e në kundërshtim me ligjin.

LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh.

Prandaj, organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite.

Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale.

LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve tona demokratike dhe dinjitetin e njerëzve tanë.

Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Burri i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Alban…