Lushtaku viziton vendin ku dyshohet për varrezë masive: Ka shumë serbë që enden të lirë dhe kanë kryer krime të mëdha

29 korrik 2026 | 12:59

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka vizituar Zubin Potokun, ku dyshohet për gjetjen e një varreze masive me trupa të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë vizitës, Lushtaku ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në identifikimin dhe gjetjen e personave të zhdukur, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për familjet e viktimave dhe për të gjithë Kosovën.

Ai ka thënë  se për familjarët e personave të zhdukur është shumë e rëndësishme që, pas një pritjeje të gjatë, të kenë mundësi të dinë fatin e të dashurve të tyre dhe të vendosin lule pranë varreve të tyre.

“Dua ta falënderoj Policinë e Kosovës edhe gjithë ata që e kanë bërë të mundur që të gjenden edhe këta të zhdukur, sepse ka shumë rëndësi për familjet, rrethin edhe për Kosovën natyrisht. Sa është e vështirë dhe e rëndë është edhe një ditë, sidomos për familjet, çlirimi, sepse në fund të fundit kanë mundësi që të shkojnë të vendosin një tufë lule pranë varrezave të tyre”, ka deklaruar Lushtaku.

Kryetari i Skenderajt ka folur edhe për arrestimin e dy shtetasve serbë, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në krime gjatë luftës në Kosovë.

Lushtaku ka vlerësuar se arrestimet janë një hap pozitiv, ndërsa ka kërkuar që procesi të vazhdojë edhe në rastet e tjera.

“Mendoj se këtu tani varet edhe mënyra e punës, profesionalizmi i tyre. Për mua është tepër pozitive që janë gjetur një pjesë e tyre. Unë nuk pres nga Serbia që të rreh shuplaka për arrestimin e atyre që kanë bërë krime në këtë vend. Arrestimet duhet të vazhdojnë të ndodhin. Ka shumë serbë që janë të lirë, e krimet janë tepër të mëdha në Kosovë, e sidomos në komunën tonë”, ka thënë Lushtaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do të organizojë kursin…