Mësuesja “mashtruese”: Paratë i mori – lopët, serrat e vizat kurrkund (VIDEO)
Mësuese është, por nuk merret veç me të vegjlit. Gjylfidane Morina pati goxha punë edhe me të rriturit që donin të përfitonin si grant lopë, ndonjë serë apo të merrnin vizë gjermane.
Këto ua premtoi në këmbim të parave, të paktën 15 personave që sipas aktakuzës së Prokurorisë në Pejë, i mashtroi duke u prezantuar fillimisht si menaxhere e një organizate me seli në Fushë-Kosovë, dega në Pejë, raporton Klan Kosova.
Për një termin në ambasadën gjermane, mësuesja kërkoi më së shumti para e ato i udhëzoi klientët t’ia lënë në një furrë buke, por punën e vet nuk e kreu.
E për sera, çmimi ishte më i ulët, ani se siç premtonte mësimdhënësja, ato ishin nga jashtë Kosovës.
Për gjedhe kërkonte më pak, andaj personit të parë që u interesua për këtë gjë i lypi t’i gjejë edhe të tjerë që duan kësi grante.
Këto, siç shkruan në aktin akuzues, e dyshuara i bënte nga viti 2022 e këndej, derisa cak ishin familjet me gjendje të dobët financiare.
Klan Kosova pati raportuar edhe për një aktakuzë që ishte ngritur ndaj Morinës, në shtator të vitit 2024 pikërisht për veprën e njëjtë të mashtrimit.
Kronika më poshtë sjell detaje:



