Qyteti strategjik kthehet në frontin e luftës Iran-SHBA

14 shtator 2026 | 22:36

Qyteti i Mocha-s në Jemen është kthyer në një front të rëndësishëm të përplasjes rajonale, pasi Houthit morën kontrollin e tij pas një ofensive të shpejtë.

Në mëngjesin e 10 shtatorit, banorët u zgjuan nga shpërthimet dhe të shtënat. Brenda pak orësh, forcat qeveritare dhe Rezistenca Kombëtare u tërhoqën drejt jugut, ndërsa luftëtarët Houthi hynë në qendër të qytetit.

Një peshkatar rreth të 60-ave, Ali Al-Ahdal, tregoi se banorët nuk patën kohë të largoheshin.

“Qyteti ra brenda pak orësh. Daljet u mbyllën menjëherë dhe deti, që ishte burimi i jetesës sonë, u kthye në zonë lufte”, tha ai, raportom Ynet.

Ofensiva nuk nisi papritur. Që prej 9 gushtit, Houthit kishin nisur sulme me më shumë se 25 raketa ndaj Mocha-s dhe portit të saj, ndërsa forcat qeveritare kishin përforcuar pozicionet.

Më 3 shtator, sulmet u zgjeruan në frontet perëndimore të Taizit dhe në distriktin Hays të Hodeidahut. Houthit pretenduan se morën kontrollin e gjashtë distrikteve, në një territor prej rreth 5,400 kilometrash katrorë.

Përparimi u shoqërua me sulme me raketa dhe dronë ndaj pozicioneve qeveritare, të ndjekura nga avancimi i forcave tokësore.

Më 9 shtator, Houthit morën kontrollin e zonës Al-Wazi’iyah, më pas të malit Jabal al-Nar në lindje të Mocha-s dhe të kampit ushtarak Khalid bin Al-Walid, një prej bazave më të mëdha në Jemen.

Brenda më pak se 48 orësh ranë edhe Hays, Khokha dhe Mocha. Forcat qeveritare u tërhoqën më tej, ndërsa Houthit morën kontrollin edhe të Hodeidahut dhe ishujve përballë ngushticës Bab el-Mandab.

Shpejtësia e ofensivës ka ngritur pikëpyetje në Jemen për dezertime dhe infiltrime të mundshme brenda forcave qeveritare.

Pas marrjes së qytetit, banorët raportuan gjithashtu arrestime. Mes të ndaluarve, sipas dëshmive të mbledhura nga “The Media Line”, kishte aktivistë, gazetarë, mjekë dhe punonjës humanitarë.

Një komandant Houthi, i njohur me emrin e luftës Abu Rajeh, e cilësoi operacionin si një plan strategjik të bazuar në befasi dhe koordinimin e dronëve me forcat tokësore.

“Donim t’u merrnim fortesën dhe të siguronim sovranitetin e Jemenit mbi ujërat territoriale në Bab el-Mandab”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, një oficer i forcave të qeverisë, që foli në kushte anonimiteti, tha se trupat u detyruan të tërhiqeshin pas sulmeve intensive.

“Pozicionet tona u goditën me një fuqi të paprecedentë zjarri dhe raketash. Tërheqja ishte një hap taktik për të mbrojtur forcat dhe civilët”, tha ai.

Oficeri shtoi se beteja nuk ka përfunduar.

“Mocha, Bab el-Mandab dhe distriktet përreth mbeten qendra e një operacioni ushtarak. Beteja nuk ka përfunduar ende”, u shpreh ai.

Rëndësia e qytetit lidhet me pozicionin e tij pranë Bab el-Mandabit, një prej rrugëve kryesore të transportit detar ndërkombëtar. Përshkallëzimi në këtë zonë vjen në një moment kur ngushtica e Hormuzit është përballur me ndërprerje të rënda për shkak të konfliktit Iran-SHBA dhe Izrael.

Houthit kanë shpallur gjithashtu një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite dhe kanë kryer sulme ndaj anijeve pranë ngushticës, si dhe ndaj infrastrukturës energjetike saudite. Riadi i ka kërkuar Uashingtonit ndërhyrje ushtarake kundër pozicioneve Houthi, por administrata e Donald Trump deri tani e ka refuzuar këtë kërkesë.

Përshkallëzimi ka sjellë edhe një valë të re zhvendosjesh. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin ka regjistruar rreth 76 mijë persona të larguar nga Taizi dhe Hodeidah që prej 3 shtatorit.

Ndërkohë, luftimet në bregun perëndimor të Jemenit vazhdojnë. Forcat qeveritare kanë njoftuar sulme ajrore ndaj pozicioneve Houthi pranë portit të Mocha-s dhe zonës Dhubab, ndërsa kanë nisur edhe një kundërofensivë në zonat rurale të Taizit.

Për banorët e Mocha-s, përplasja gjeopolitike është kthyer në një luftë për mbijetesë.

“Ne jemi bërë karburant për një luftë që nuk lë asgjë të paprekur. Duam vetëm të jetojmë të sigurt në shtëpitë tona dhe të kthehemi te peshkimi dhe jeta jonë e thjeshtë”, tha peshkatari Ali Al-Ahdal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Imer Imeri i është përgjigjur avokatit Labinot Vata, përfaqësues ligjor…