Përplasje e re mes FIFA-s dhe UEFA-s, evropianët kërcënojnë me bojkot të Kupës së Botës
FIFA dhe UEFA janë përfshirë në një tjetër përplasje të fortë, pasi organizata botërore e futbollit ka prezantuar një plan për krijimin e një kompanie të re që do të menaxhojë dhe tregtojë një pjesë të të drejtave komerciale të Kupës së Botës dhe turneve të tjera madhore.
Sipas planit të prezantuar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do të krijohet kompania FIFA Forward Enterprise (FFE), e cila do të merret me tregtimin e aksioneve dhe të drejtave komerciale të Kupës së Botës për meshkuj, femra, si dhe Kupës së Botës për Klube.
FIFA synon të mbajë kontrollin e shumicës së aksioneve në kompaninë e re, ndërsa një pjesë e tyre pritet t’u ofrohet investitorëve privatë.
Ky projekt ka hasur në kundërshtim të ashpër nga UEFA, e cila e ka akuzuar FIFA-n se po “shet shpirtin e futbollit”. Konfederata evropiane ka paralajmëruar se po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së hapave ligjorë për të bllokuar këtë iniciativë.
Në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit, është përmendur edhe mundësia e një bojkoti të Kupës së Botës 2030 nga ekipet evropiane, megjithëse një vendim i tillë nuk është marrë.
Në një deklaratë, UEFA ka theksuar se qeverisja e futbollit dhe vlerat e këtij sporti nuk duhet të trajtohen si asete tregtare, duke kërkuar transparencë të plotë lidhur me projektin dhe përfituesit e mundshëm financiarë.
Sipas mediave britanike, FIFA e vlerëson kompaninë e re në rreth 20 miliardë dollarë, ndërsa synon të mbledhë rreth 4.2 miliardë dollarë nga shitja e aksioneve te investitorët privatë.
FIFA pretendon se të ardhurat shtesë do të përdoren për rritjen e fondeve që u shpërndahen federatave anëtare gjatë cikleve të ardhshme të Kupës së Botës.
Projekti duhet ende të miratohet nga shumica e 211 federatave anëtare të FIFA-s, ndërsa deri më tani nuk është caktuar një datë për votimin.
Ndërkohë, tensionet mes FIFA-s dhe UEFA-s vazhdojnë të rriten, duke e kthyer këtë përplasje në një nga konfliktet më serioze të viteve të fundit ndërmjet dy institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror.



