Hani i Elezit jep 43 mijë euro subvencione për sportin dhe kulturën
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi ka njoftuar se janë nënshkruar marrëveshjet me shtatë organizata përfituese të subvencioneve në fushën e sportit dhe kulturës, në kuadër të mbështetjes së komunës për zhvillimin e jetës sportive dhe kulturore.
Sipas Ballazhit, përmes këtyre marrëveshjeve janë ndarë gjithsej 43,000 euro, prej të cilave 35,000 euro për sportin dhe 8,000 euro për kulturën.
Subvencionet janë shpërndarë si vijon: Klubi Futbollistik “Sharri” – 17,000 €, Klubi i Mundjes “Sharri” – 2,000 €, Klubi i Mundjes “Dardania” – 5,000 €, SHKA “Sharri” – 8,000 €, Klubi i Karatesë “Sharri” – 2,000 €, Klubi i Futbollit “Sharri” 2016 – 2,000 €, Klubi i Volejbollit “Sharri” – 7,000 €.
Ballazhi ka theksuar se këto mjete do të shërbejnë për fuqizimin e klubeve sportive dhe organizatave lokale, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë, sportistët dhe artistët që përfaqësojnë Hanin e Elezit.
Ai ka bërë të ditur se mbështetja për sportin dhe kulturën mbetet ndër prioritetet e qeverisjes komunale, duke vlerësuar se investimi në këto fusha është investim në rininë, talentin dhe të ardhmen e komunës.
Kryetari Ballazhi u ka uruar organizatave përfituese suksese në realizimin e aktiviteteve të tyre, duke shprehur besimin se fondet do të shfrytëzohen me përgjegjësi dhe do të sjellin rezultate konkrete në sport dhe kulturë.



