Rikthehen “lule gjelat”; në sulm ndaj faqeve të SHBA në Tiranë
Nga Ylli Pata
Lufta hibride që u vu re në ditët e Flamingo Revolution me trolle fake mbi “përmbytjen izraelite” në Zvërnec, apo sulmet agresive ndaj familjes Trump, që vinte kryesisht nga faqe iraniane apo të lidhura me aleancat e Teheranit, nuk është fenomeni i tillë i parë në mejdanin virtual digjital shqiptar.
I nisur që në kohën e protestave të armëve kimike, kulmi arriti në gjysmën e dytë të 2016-s e vijoi për disa vite me radhë.
Faqet sociale të ambasadës amerikane në Tiranë, ku publikoheshin njoftime të ndryshme mbi aktivitetet e diplomatëve, apo qëndrime të qeverisë amerikane, përmbyteshin në të gjitha postimet me një seri komentesh negative.
Komente, të cilat u kthyen në një fushatë në kuptimin e vërtetë të fjalës, sidomos pas vendimit të Departamentit të Shtetit për shpalljen Non Grata të Sali Berishës në majin e vitit 2021.
E gjithë kjo odise trollesh mund të shikohet krejt thjesht nëse shfletohet historiku i aktivitetit digjital në faqet zyrtare të rrjeteve sociale të SHBA në Shqipëri.
Aktivitet, i cili është analizuar pa tjetër nga ekspertët e tyre, që jo vetëm nuk mungojnë por janë në avangardë për të zbuluar se nga vijnë, kush janë dhe çfarë përfaqësojnë.
Ky aktivitet digjital, në shumicën e tij nuk përbënte thjesht një mendim ekstrem militantësh të zemëruar, por ishte një aktivitet trollesh të organizuara si batare digjitale. Përkatësisht një luftë hibride e kordinuar në mënyrë të sinkronizuar. Ky fenomen, tashmë është analizuar e dekodifikuar, kur prej vitesh qoftë SHBA, por veçanërisht Bashkimi Europian, i kanë dhënë edhe zë publik betejës ndaj luftës hibride.
Për një analizë krejt të thjesht me sy, mjafton një analogji me aktivitetin e faqeve zyrtare në rrjetet sociale të përfaqësive të tjera diplomatike në Shqipëri. Shumica e të cilave nuk e kanë pasur këtë aggresion digjital.
Ka një fenomen interesant në interaktivitetin social të selive diplomatike në Shqipëri, pasi përgjithësisht, edhe ata të vendeve jo shumë të mëdha apo të pasura, kanë mjaft përfshirje nga publiku shqiptar.
Sa herë kur kjo përfshirje është normale, ku ka shpesh edhe qëndrime kritike apo me vërejtje të ndryshme, diskursi shkon krejt fjollë.
Ndërkaq, edhe në faqe të vendeve të mëdha e me relacione “delikate” me Tiranën, nuk e gjen diskursin toksik apo teknikën e luftës hibride.
Merr për shembull faqet sociale të përfaqësisë diplomatike ruse. Mjaft aktive në gjuhën shqipe, e përditësuar me informacione e njoftime të bollshme, qoftë për aktivitetin e politikës së Jashtme të Moskës, qoftë edhe për aktivitete të zhvilluara në Shqipëri.
Komentet në këtë faqe, gjithë këto vite, por edhe tani janë të shumta, normale dhe shpesh dallon simpati, respekt, apo edhe përfshirje e përkrahje nga publiku shqiptar që komenton.
Një fenomen i njohur, ku përfaqësues të brezave të ndryshëm kanë kimi me rusët, kulturën e saj përgjithësisht, por edhe gjurmët që kanë lënë marrëdhëniet e afërta deri në vitin 60 të shekullit të shkuar.
Sheh aty fjalë të qeta, lavdërime, madje edhe glorifikime ndaj Putinit, i cili si gjithkund ka edhe këtu fansat e tij.
Ndërkaq, në faqet e SHBA, Izraelit, por edhe herë pas here përfaqësisë së BE-së, ka prej vitesh një aktivitet konstant trollesh toksike. Që nuk ndalen vetëm në pakënaqësitë e llojeve politike, por futen në historitë e konspiracionit, të njohura në gjithë arsenalin apo temën e kësaj lufte hibride në Perëndim. Ku kuptohet qartë adresa dhe synimi.
Megjithatë, fakt është se prej dy vitesh tashmë, pas fitores së mandatit të dytë të Donald Trump, e sidomos largimit të Yuri Kim, për të cilën u zhvilluan fushata të pafundme linçimi, lufta hibride pushoi si me buton. Profilet me “fotot” fake me kollare blu e buzëqeshje të ngrirë, apo fytyra të ngrysura u zhdukën si me magji.
Për tu kthyer vetëm ditët e fundit. Ku trollet janë rikthyer sërish, apo thënë me simbolin e luftës hibride në Kosovë “Lule Gjeli” që është bërë një fenomen mediatik.
Është konturi i trolleve të disa viteve më parë, si dhe tema e sulmit ndaj SHBA-së. Me të njëjtën logjikë propagandistike, megjithatë pyetja është pse nisi tani, pikërisht kur dhe ndodhi një thyerje e fortë e një pjesës së politikës shqiptare me SHBA, për marrëveshjen ushtarake?
Përgjigjen ka shumë gjasë ta japë vijimi dhe linja e kësaj lufte hibride që tani duket ka vetëm fillimin…



