Dy persona gjobiten me nga 500 euro për djegien e hamulloreve në Klinë

31 korrik 2026 | 16:16

Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro pasi janë kapur duke djegur hamullore në dy raste të ndara në komunën e Klinës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, rasti i parë është raportuar më 30 korrik, rreth orës 11:00, në fshatin Caravik. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku zjarri ishte vënë nën kontroll. Pronari i tokës ka pranuar se kishte djegur hamulloret pas korrjes së grurit.

“Njësitet relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku prezent ishte edhe njësia e zjarrfikësve – Klinë, të cilët kishin intervenuar në rast. Kundërvajtësi, njëkohësisht pronari i tokës, ka pranuar se i kishte djegur hamulloret pas korrjes së grurit. Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori i Shtetit dhe, me udhëzim të prokurorit, shkresat e lëndës të evidentohen me shënim zyrtar, ndërsa ndaj kundërvajtësit është shqiptuar fletëgjoba prej 500 eurosh, sipas ligjit në fuqi”, thuhet në raport.

Ndërkaq, rreth orës 15:25, Policia është njoftuar për një tjetër zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc. Në vendin e ngjarjes është konstatuar se po digjeshin hamulloret në një sipërfaqe prej rreth 2 deri në 3 hektarësh, ndërsa janë hasur edhe tre traktorë duke punuar në arë. Zjarri është lokalizuar dhe fikur, ndërsa pronari i tokës ka pranuar se i kishte vënë flakën hamulloreve për të pastruar pronën e tij.

“Me datën 30.07.2026, rreth orës 15:25, Stacioni Policor në Klinë ka pranuar informatë lidhur me një zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc-Klinë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë vërejtur se ishin duke u djegur hamulloret në një sipërfaqe prej rreth 2-3 hektarësh. Në atë pjesë të tokës janë hasur edhe tre traktorë duke bërë lavër. Zjarri kishte përfshirë një pjesë të arës, sipërfaqe e cila paraprakisht ishte lëvruar. Zjarri është lokalizuar dhe fikur në tërësi. Në vendin e ngjarjes, një qytetar nga fshati Gllarevë i Klinës, i cili ka pranuar se është pronar i tokës, ka deklaruar se ai ia ka vënë zjarrin hamulloreve me qëllim të pastrimit të pronës së tij. Lidhur me këto që u thanë më lart është njoftuar prokurorja kujdestare e Shtetit dhe, me udhëzim të prokurorit, shkresat e lëndës do të evidentohen me shënim zyrtar, ndërsa ndaj kundërvajtësit është shqiptuar fletëgjoba prej 500 eurosh, sipas ligjit në fuqi”, thuhet në raport.

Për të dyja rastet është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar që lëndët të evidentohen me shënim zyrtar, ndërsa ndaj secilit kundërvajtës është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë personave që, me dashje ose nga pakujdesia, rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve duke shkaktuar zjarre.

Njëkohësisht, Policia ka apeluar te qytetarët e rajonit të Pejës që të tregojnë kujdes maksimal gjatë çdo aktiviteti që mund të shkaktojë zjarr, si përdorimi i shkrepëseve, cigareve, grilave apo ndezja e zjarreve në natyrë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri i parë i Barcelonës, Joan Garcia, bëri një premtim…