Gjykata: Janë plotësuar kushtet ligjore për gjykimin në mungesë të 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut

31 korrik 2026 | 12:08

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të vazhdojë gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në masakrën e Reçakut, pasi ka konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore dhe se janë ndërmarrë përpjekje të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë.

Prokurori Special, Ilir Morina, ka deklaruar se para ngritjes së aktakuzës në mungesë janë përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara me ligj, përfshirë thirrjet, urdhërarrestet, kërkimin e adresave të të pandehurve në Kosovë dhe lëshimin e fletarrestimeve kombëtare e ndërkombëtare.

Sipas Morinës, përmes ndihmës juridike ndërkombëtare janë kërkuar informacione për të pandehurit, por nuk është pranuar asnjë përgjigje. Ndërkohë, nga të dhënat e Policisë së Kosovës ka rezultuar se asnjëri prej tyre nuk gjendet në adresat ku kishte jetuar para luftës.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, ka thënë se gjykata ka ndërmarrë një sërë veprimesh për njoftimin dhe sigurimin e pranisë së të akuzuarve, por pa sukses.

Ajo ka bërë të ditur se njoftimet për seancën janë publikuar në ueb-faqet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Prokurorisë së Shtetit, si dhe në Gazetën Zyrtare të Kosovës. Po ashtu, gjykata u është drejtuar zyrave për komunitete në Shtërpcë, Shtime, Kamenicë, Han të Elezit dhe Ferizaj, si dhe Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, për të siguruar informacione mbi vendndodhjen e të akuzuarve.

“Meqenëse nuk prezentojnë të pandehurit e lartcekur dhe kemi të bëjmë me krime lufte, erdhëm në përfundim që gjykimi në mungesë mund të mbahet, pasi gjykata u bind se në rastin konkret janë bërë përpjekje të mjaftueshme për t’i siguruar të pandehurit”, ka deklaruar Namani-Hajra.

Pas vendimit të gjykatës, prokurori special Ilir Morina ka lexuar aktakuzën, sipas së cilës 21 të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe forcave policore serbe, ngarkohen me krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në Reçak të Shtimes.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë vepruar si pjesëtarë të Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së III-të, të njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe të njësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përfshirë njësitë e veçanta dhe speciale të policisë.

Prokuroria i akuzon ata për vrasje, trajtim çnjerëzor dhe shkatërrim të pasurisë civile gjatë operacionit të 15 janarit 1999 në Reçak. Sipas aktakuzës, forcat serbe e kishin rrethuar fshatin rreth orës 06:00, e kishin granatuar nga disa pozicione dhe më pas kishin hyrë me automjete të blinduara, duke kontrolluar shtëpitë një nga një.

Aktakuza përshkruan një varg rastesh të vrasjes dhe plagosjes së civilëve gjatë operacionit, ndërsa sipas Prokurorisë, në këtë ngjarje janë vrarë 42 civilë të fshatit Reçak.

Pas leximit të aktakuzës, gjyqtarja Namani-Hajra ka bërë të ditur se, për shkak se të akuzuarit po gjykohen në mungesë, në këtë fazë nuk mund të merren deklarimet e tyre lidhur me fajësinë.

“Nuk mund të kemi deklarime në lidhje me fajësinë, pasi interesat e të pandehurve do të përfaqësohen nga avokatët e pranishëm në sallë”, ka deklaruar ajo, duke u dhënë mbrojtësve afat prej 30 ditësh për paraqitjen e kërkesave për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…