Sherifi: Me përgjegjësi të plotë dhe bindje të thellë, mund të them se ky aktgjykim nuk është drejtësi

16 shtator 2026 | 15:29

Bilall Sherifi, i cili ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Jakup Krasniqit, është shprehur i zhgënjyer me aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë.

Në një postim në “Facebook”, Sherifi ka deklaruar se, bazuar në provat dhe dëshmitë që ka përcjellë gjatë procesit, ky aktgjykim, sipas tij, nuk përbën drejtësi.

“I zhgënjyer sa s’ka fjalë që mund ta përshkruaj. Duke qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Jakup Krasniqit, kam pasur qasje në çdo provë të ofruar nga Prokuroria dhe kam dëgjuar dëshmitë e çdo dëshmitari që ka dëshmuar në këtë proces! Prandaj, me përgjegjësi të plotë dhe me bindje të thellë, mund të them se ky aktgjykim nuk është drejtësi!”, ka shkruar Sherifi.

Ai ka theksuar se, sipas tij, trupi gjykues ka zëvendësuar fjalën “aktakuzë” me “aktgjykim”.

“Përkundrazi, jam i bindur që ajo që ka bërë trupi gjykues është thjesht heqja e fjalës AKTAKUZË dhe në vend të saj kanë vendosur fjalën AKTGJYKIM”, ka shkruar Sherifi.

Sherifi është shprehur se drejtësia nuk matet vetëm me hartimin e një aktgjykimi, por edhe me bazën provuese mbi të cilën mbështetet ai.

“Drejtësia nuk matet vetëm me shkruarjen e një aktgjykimi, por me atë se sa bindshëm mbështetet në prova! E vërteta nuk mbyllet me një aktgjykim. Beteja vazhdon!”, ka shkruar Sherifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka reaguar pas…