Rama pas verdiktit ndaj çlirimtarëve: Beteja për drejtësi nuk përfundon këtu
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas shpalljes së verdiktit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Rama e ka cilësuar verdiktin si “të padrejtë dhe të rëndë”, duke thënë se beteja për të vërtetën dhe drejtësinë nuk përfundon me këtë vendim.
“Një verdikt i padrejtë dhe i rëndë për të gjithë ne! Por ky nuk është fundi. Beteja vazhdon për të vërtetën, për drejtësinë, për dinjitetin dhe për mbrojtjen e luftës çlirimtare të UÇK-së”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë thirrje për unitet në këto momente, duke theksuar rëndësinë e respektit për sakrificën dhe historinë e Kosovës.
“Në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë familjeve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, ka deklaruar ai.
Rama ka theksuar se procesi, sipas tij, duhet të vazhdojë përmes rrugëve institucionale dhe ligjore.
“Një verdikt mund të shënojë një moment të vështirë, por nuk e përfundon betejën për drejtësi. Ajo vazhdon institucionalisht, ligjërisht dhe me dinjitet”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.



