Konjufca: Thellësisht jam i zhgënjyer, besoj fuqimisht se Apeli duhet ta rishikojë aktgjykimin

16 shtator 2026 | 15:21

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u shprehur thellësisht i zhgënjyer me vendimin dënues, me të cilin ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Përmes një postimi në “X”, Konjufca ka deklaruar se beson fuqimisht që Dhoma e Apelit do ta rishikojë aktgjykimin dhe do ta nënshtrojë atë në një shqyrtim rigoroz gjyqësor.

“Rezultati i vendimit të sotëm të shpallur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në çështjen që lidhet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ka shkaktuar, me të drejtë, zhgënjim të thellë në mbarë Kosovën, një ndjenjë që e ndaj edhe unë personalisht”, ka shkruar Konjufca.

Ai është shprehur se beson fuqimisht se Dhoma e Apelit do t’i nënshtrojë vendimit një shqyrtimi të kujdesshëm dhe rigoroz gjyqësor.

“Unë besoj fuqimisht se Dhoma e Apelit do t’i nënshtrojë vendimit një shqyrtimi të kujdesshëm dhe rigoroz gjyqësor dhe do të trajtojë, në përputhje me ligjin e zbatueshëm dhe praktikën e konsoliduar, mangësitë ligjore dhe faktike që dalin nga vendimi”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Konjufca ka theksuar se angazhimi për sundimin e ligjit, parimet demokratike, paqen dhe të ardhmen evropiane të Kosovës mbetet i pandryshuar.

“Megjithatë, angazhimi ynë i palëkundur për sundimin e ligjit, parimet demokratike, paqen dhe të ardhmen evropiane të Kosovës mbetet i pandryshuar”, ka shkruar ai.

Konjufca ka përmendur edhe historinë e Kosovës, duke theksuar se ajo është histori represioni, rezistence, lufte, humbjeje dhe, në fund, lirie të fituar me shumë sakrifica.

“Historia e Kosovës është një histori represioni, rezistence, lufte, humbjeje dhe, në fund, lirie të fituar me shumë sakrifica”, ka theksuar ai.

Më tej, ai ka shkruar se në rrethanat aktuale është e vështirë të perceptohet një ndjenjë drejtësie për viktimat e luftës në Kosovë.

“Sot, në rrethanat aktuale, është e vështirë të perceptohet një ndjenjë drejtësie për dhjetëra mijëra gra, burra dhe fëmijë, prej të cilëve më shumë se 95% ishin shqiptarë etnikë, që u vranë, u përdhunuan dhe u torturuan nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe. Për ta, drejtësia nuk erdhi kurrë”, ka shkruar Konjufca.

Në fund, ai ka bërë thirrje për mbrojtjen e asaj që e cilëson si të vërtetë historike të Kosovës.

“Ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën historike kundër çdo shtrembërimi dhe interpretimi dashakeq. Mbi të gjitha, duhet të mbetemi krenarë për dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës, dhe për shtetin që kemi ndërtuar sot: një Kosovë të lirë, demokratike dhe evropiane”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas shpalljes së…