Konsullata serbe në Shkodër: mes diplomacisë, kujtesës historike dhe reciprocitetit të munguar

31 korrik 2026 | 10:27

Shkruan: Ibrahim Gashi

Si historian dhe ish diplomat e shoh me rezervë mundësinë e hapjes së një konsullate të Republikës së Serbisë në Shkodër, edhe sikur një vendim i tillë ndërmerret mbi bazën e reciprocitetit diplomatik me hapjen e një konsullate shqiptare në Bujanofc.

Ky është një hap që kërkon një vlerësim shumë më të gjerë sesa ai formal diplomatik, sepse marrëdhëniet shqiptaro-serbe mbartin një ngarkesë të rëndë historike dhe politike.

Së pari, historia e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë gjatë shekullit XX dëshmon se politika zyrtare e Beogradit ka qenë shpesh e karakterizuar nga qasje penguese dhe obstruksioniste ndaj shtetit shqiptar. Kjo është reflektuar në periudha të ndryshme historike, si gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut, ashtu edhe gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore si dhe përgjatë Luftës së Ftohtë, kur interesat strategjike të Jugosllavisë shpesh binin ndesh me sovranitetin dhe interesat kombëtare të Shqipërisë.

Së dyti, një vendim i tillë nuk mund të shkëputet nga kujtesa historike e politikave të dhunës së ushtruara nga shteti serb ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare gjatë periudhës 1912–1999. Krimet masive, dëbimet e dhunshme dhe fushatat e spastrimit etnik përbëjnë një trashëgimi të rëndë historike, e cila kërkon përgjegjësi, reflektim dhe adresim të sinqertë përpara se të ndërmerren hapa që mund të interpretohen si normalizim i plotë i marrëdhënieve.

Së treti, argumenti i reciprocitetit diplomatik në këtë rast meriton një analizë më të kujdesshme. Hapja e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës mund të arsyetohet nga prania historike dhe e vazhdueshme e një popullsie autoktone shqiptare në atë rajon, e cila ka nevoja konkrete për shërbime konsullore, arsimore, kulturore dhe për ruajtjen e lidhjeve me shtetin amë.

Në anën tjetër, Shkodra nuk paraqet një situatë të krahasueshme. Ajo nuk është një zonë ku ekziston një komunitet autokton serb me nevoja të ngjashme konsullore që do të krijonin një simetri të drejtpërdrejtë me rastin e Luginës së Preshevës. Për këtë arsye, paraqitja e këtyre dy rasteve si një marrëdhënie e pastër reciprociteti nuk pasqyron realitetin historik dhe demografik të dy vendeve.

Reciprociteti në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk duhet të kuptohet vetëm si shkëmbim formal i institucioneve diplomatike, por edhe si pasqyrim i rrethanave objektive që e bëjnë të arsyeshëm dhe funksional praninë e tyre. Pikërisht për këtë arsye, barazimi i hapjes së një konsullate shqiptare në një rajon me popullsi autoktone shqiptare me hapjen e një konsullate serbe në Shkodër ngre dilema të rëndësishme politike, historike dhe diplomatike që kërkojnë debat të gjerë publik dhe institucional.

Kjo nuk nënkupton kundërshtim ndaj dialogut apo bashkëpunimit diplomatik. Përkundrazi, marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një vlerë e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Megjithatë, ato duhet të ndërtohen mbi parimet e reciprocitetit real, respektit të ndërsjellë, pranimit të së vërtetës historike dhe përgjegjësisë për të kaluarën. Vetëm mbi këto baza mund të ndërtohet një normalizim i qëndrueshëm dhe dinjitoz i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…