Zeqiri: ‘Marrëveshja’ e Abdixhikut me Kurtin nuk i garanton votat e deputetëve të pakënaqur të LDK-së
Analisti politik Sadik Zeqiri, në një intervistë për Ekonomia Online, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se kishte pritur një rezultat tjetër në procesin e përzgjedhjes së kryetarit të partisë.
Sipas tij, megjithëse delegatët vendosën që Lumir Abdixhiku të vazhdojë të jetë në krye të LDK-së, problemet brenda partisë nuk janë zgjidhur.
“Shih që kanë qenë zhvillime të papritura te rezultati i përzgjedhjes që kanë bërë delegatët e Lidhjes Demokratike. Megjithatë, unë kam menduar që aty do të ndodhë diçka tjetër. Kam menduar që do të shkarkohet zoti Abdixhiku, por delegatët e Lidhjes Demokratike kanë vendosur që të vazhdohet me Abdixhikun edhe për një kohë të caktuar. Megjithatë, mendoj që nuk janë zgjidhur problemet e Lidhjes Demokratike. Ato sot tashmë janë thelluar edhe më shumë, sepse kam frikë që ajo parti është përçarë dhe kam frikë që ajo parti, ose zoti Abdixhiku, nuk mund t’i përjashtojë të gjithë të pakënaqurit rreth idesë së tij ose rreth atyre vendimeve që ai do t’i marrë gjatë bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje apo edhe gjatë rrugëtimit deri në kuvendin e ardhshëm që pritet ta kenë në vitin 2027”, ka thënë Zeqiri.
Ai ka shtuar se vazhdimi i mandatit të Abdixhikut nënkupton edhe rikthimin e Vjosa Osmanit në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, por se sfida kryesore mbetet bindja e deputetëve të pakënaqur.
“Po shiko, ata delegatë kanë vendosur që të vazhdojnë me zotin Abdixhiku. Po ashtu, ky vazhdim i zotit Abdixhiku është edhe rikthimi i zonjës Osmani në Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike, që i bie që tashmë zoti Abdixhiku po e forcon veten brenda atij kuvendi ose te delegatët e Lidhjes Demokratike dhe do të ketë më shumë fuqi. Por, unë besoj që nuk do të ketë mundësi të bëjë përputhshmëri ose të jetë vendimmarrës për të gjithë ata 18 deputetë që i ka në Kuvendin e Kosovës. Tashmë nuk kemi telashe më te punët e Lidhjes Demokratike, sepse Kuvendi e ka kryer punën e vet, por zoti Abdixhiku ka për detyrë dhe obligim t’i bindë deputetët e pakënaqur që i ka në Kuvendin e Kosovës. Pritet që në një kohë të caktuar, ose të shkurtër, të vendoset edhe për një qeveri e cila do të krijohet nga data 6 gusht e tutje dhe që, sipas Abdixhikut, Lidhja Demokratike është e gatshme të jetë bashkëpunuese me Lëvizjen Vetëvendosje. Por, a janë ata 18 deputetë të gatshëm ta ndjekin zotin Abdixhiku, të shohim ditët në vijim”, është shprehur ai për Ekonomia Online.
Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Zeqiri ka thënë se ajo mund të arrihet, por vështirë se do të gjejë mbështetjen e të gjithë deputetëve të LDK-së.
“Me Abdixhikun kryetar do të ketë marrëveshje. Por deputetët që i ka Lidhja Demokratike, ata të pakënaqur në Kuvendin e Kosovës, unë mendoj që edhe marrëveshja e nënshkruar nga zoti Abdixhiku për të bashkëqeverisur dhe për të zgjedhur njërën nga tri pozitat në emër të LDK-së, mendoj që është shumë e vështirë të ketë një bashkëpunim të tillë. E para. E dyta, edhe zotit Kurti i konvenon kjo krizë brenda Lidhjes Demokratike, sepse e përçan Lidhjen Demokratike dhe është shumë e mundshme që të bëjë koalicion vetëm ta përçajë sa më shumë. Dhe është shumë e mundshme që edhe koalicioni i bërë të mos i marrë votat e mjaftueshme dhe vendi të shkojë në zgjedhje më pas. T’u lihet faji të pakënaqurve të LDK-së, sepse ata nuk janë shkatërruesit e vendit, por unë mendoj që me numrat që ka Lidhja Demokratike, zotit Kurti fare nuk i duhen, sepse nuk janë numra që bëjnë 81 deputetë për të qëndruar në sallë kur duhet të zgjidhet kryetari i shtetit”, ka deklaruar Zeqiri.



