Haxhiu: Dyshimet për varrezën e dytë masive rikujtojnë krimet e luftës në Kosovë
Ushtruesja e detyrës të presidentit Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me dyshimet për ekzistimin e një varreze të dytë masive, duke e cilësuar këtë zhvillim si një rikujtim të rëndë të krimeve të kryera gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend.
Sipas Haxhiut, shtrirja e sovranitetit dhe e rendit kushtetues në çdo pjesë të territorit të Kosovës ka qenë jo vetëm obligim institucional, por edhe parakusht për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë, identifikimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore te familjet e viktimave.
Ajo ka shprehur mirënjohje dhe mbështetje për institucionet e Kosovës, ekipet profesionale dhe ekspertët mjekoligjorë, duke vlerësuar angazhimin e tyre në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
Postimi saj:
Dyshimet për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend.
Shtrirja e sovranitetit dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të Republikës së Kosovës nuk ka qenë vetëm obligim institucional, por edhe një parakusht për të mundësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, zbulimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore të viktimave te familjet e tyre.
Shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, ekipet profesionale, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjithë ata që, me përkushtim e profesionalizëm, po punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë. Angazhimi i tyre është një shërbim i çmuar ndaj drejtësisë, së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor.
Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, por edhe një dëshmi se plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur dhe përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë.
Në këto momente, shprehim solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave, të cilat për më shumë se dy dekada kanë pritur të dinë fatin e më të dashurve të tyre. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që e vërteta të zbardhet plotësisht dhe kujtesa për viktimat të nderohet me dinjitet.



