Rrëzohet avioni turistik në ShBA, vdesin 13 persona
Të gjithë 13 personat që ndodheshin në një avion të vogël turistik kanë humbur jetën pasi mjeti u rrëzua të shtunën gjatë një fluturimi mbi zonën e famshme arkeologjike Nazca Lines në jug të Perusë.
Sipas autoriteteve peruane dhe mediave lokale, në bordin e avionit tip Cessna Caravan C-208 ndodheshin 11 turistë dhe dy pilotë.
Mes viktimave janë shtatë turistë italianë, dy gjermanë dhe dy spanjollë. Shkaku i rrëzimit ende nuk është bërë i ditur dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
“Për shkak të përmasave të aksidentit, nuk ka të mbijetuar. Deri më tani janë nxjerrë katër trupa”, deklaroi zyrtari i Policisë, Jorge Andrade, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:00 sipas kohës lokale, në rajonin Pueblo Viejo, pak pasi avioni ishte nisur nga aeroporti i Piskos për një fluturim turistik mbi vijat e Nazcas.
Pamjet e publikuara nga agjencia Reuters tregojnë zjarrfikësit duke shuar flakët në vendin e rrëzimit, ndërsa tymi ngrihej nga mbetjet e avionit.
Autoritetet lokale në Nazca shprehën ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa konfirmuan se avioni i përkiste kompanisë peruane Aerodiana. Kompania njoftoi se do të rishikojë oraret e fluturimeve në përputhje me udhëzimet e autoriteteve.
Nazca Lines, një nga atraksionet turistike më të njohura të Perusë dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, tërheq mijëra vizitorë çdo vit. Turistët zakonisht i shohin vizatimet gjigante në shkretëtirë përmes fluturimeve me avionë të vegjël.
Ky nuk është aksidenti i parë në këtë zonë. Në vitin 2022, një tjetër avion turistik u rrëzua mbi Nazca Lines, duke lënë shtatë viktima, ndërsa në vitin 2010 një aksident i ngjashëm mori jetën e gjashtë personave.



