Investitorë nga Turqia interesohen për Parkun Industrial në Frashër të Mitrovicës

03 gusht 2026 | 15:27

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka bërë të ditur se në Kosovë po qëndrojnë përfaqësues të kompanisë turke Desird Design R&D, me të cilët ka zhvilluar një takim për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe realizimit të investimeve në vend.

Sipas Kusarit, në takim morën pjesë Engin Öztürk, Hüseyin Emre Kazan, Ömer Güven dhe Yücel Gümrükçü, si dhe zëvendëskryeministri Fikrim Damka.

Ajo bëri të ditur se Desird Design R&D është një kompani e specializuar në kërkim dhe zhvillim (R&D), prodhimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve mekatronike, e cila eksporton produktet e saj në më shumë se 60 vende të botës dhe aplikon ekonominë qarkore përmes ripërdorimit të elementeve të metalit dhe qelqit për industrinë e ndërtimit.

Gjatë takimit është diskutuar edhe mundësia e realizimit të një investimi në Zonën Industriale në Frashër të Mitrovicës, ku është duke u ndërtuar parku industrial. Sipas ministres, ky projekt në fazën fillestare pritet të krijojë dhjetëra vende të reja pune, me potencial për zgjerim të mëtejshëm.

Kusari theksoi se institucionet mbeten të përkushtuara për zhvillimin e infrastrukturës industriale, fuqizimin e prodhimit vendor dhe rritjen e vlerës së produkteve “Made in Kosova”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vlerësuar lart punën profesionale,…