Nënkryetarja Musmurati paralajmëron koncertet “n’Lagje” – muzika live vjen në lagjet e Prishtinës
Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besiane Musmurati, ka paralajmëruar fillimin e programit veror “n’Lagje”, një seri koncertesh me muzikë live që gjatë muajit gusht do të sjellin atmosferë, kulturë dhe argëtim në lagje të ndryshme të Prishtinës.
Programi synon ta afrojë kulturën me qytetarët, duke i kthyer hapësirat publike të lagjeve në vende takimi ku muzika, komuniteti dhe vera bëhen bashkë.
Koncertet do të organizohen në Dardani, Muharrem Fejza, Muhaxherë, Ulpianë, Hajvali, Kolovicë, Breg të Diellit, Kodra e Trimave, Matiqan dhe Kalabri, duke filluar çdo mbrëmje nga ora 20:00.
Në skenën e “n’Lagje” do të performojnë artistët Nita Latifi, Offchestra, Florent Abrashi dhe String String, të cilët do të jenë pjesë e mbrëmjeve të ndryshme përgjatë programit.
Koncerti i parë do të mbahet më 5 gusht, në lagjen Dardani, në hapësirën Mbi Kurriz, duke filluar nga ora 20:00.
Nënkryetarja Musmurati theksoi se Kryeqyteti po investon në programe që e bëjnë kulturën më të qasshme për të gjithë qytetarët.
“Koncerte e kulturë s’duhet me pas veç n’Shesh. Ato duhet me qenë edhe aty ku jetojnë qytetarët. Prandaj, këtë verë po sjellim skenë, muzikë live dhe artistë të ftuar në lagjet e Prishtinës. Besojmë se qyteti bëhet më i gjallë kur kultura del nga institucionet dhe shkon aty ku jetojnë njerëzit. Me ‘n’Lagje’ po krijojmë mbrëmje që bashkojnë komunitetin, mbështesin artistët tanë dhe i japin jetë çdo lagjeje të Prishtinës,” u shpreh nënkryetarja Musmurati.
Programi “n’Lagje” organizohet nga Drejtoria e Kulturës e Kryeqytetit dhe është pjesë e aktiviteteve verore që synojnë aktivizimin e hapësirave publike dhe pasurimin e jetës kulturore në të gjithë qytetin.
https://www.facebook.com/share/r/19WjBcebh4/?mibextid=wwXIfr



