Shqipëria nis procedurat për anulimin e koncesionit të Aeroportit të Vlorës – çështja mund të përfundojë në arbitrazh
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Për Top Channel, Ministria konfirmon se shkaku kryesor është mos përmbushja e kontratës për respektimin e afateve për përfundimin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend.
Vetë ministri i Infrastrukturës Ene Karakaçi në një deklaratë për mediat në muajin qershor bëri të ditur se qeveria iu la afat 30 ditë dy shoqërive aksionere, Mabco Constructions të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” të Valon Ademi për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre, në mënyrë që t’i hapet rrugë rinisjes së punimeve në Aeroportin e Vlorës.
Punimet në aeroport vazhdojnë të pezulluara, për shkak të konflikteve mes aksionerëve, që përfunduan në dyert e gjykatave. Me nisjen e kësaj procedure qeveria ka kaluar në fazën e radhës të mekanizmave kontraktorë për zgjidhjen e situatës së krijuar.
Punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nisën zyrtarisht në nëntor të vitit 2021. Sipas kontratës koncesionare dhe planit fillestar të investimit, aeroporti duhej të përfundonte brenda rreth tre viteve dhe të niste operimet gjatë vitit 2025.
Në rast se procedura për anulimin e koncesionit përfundon me zgjidhjen e kontratës, çështja mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar.



