Reagon VITA: Ministër qiti rezultatet, garantojmë që produktet tona janë 100% nga qumështi i freskët i fermerëve
Qumështorja “Vita”, ka ftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës si dhe Ministrin e Bujqësisë, Armend Muja, të publikojë rezultatet e analizave të mostrave, të cilat, sipas AUV, treguan se qumështi i kësaj kompanie përmban vaj palme i cili nuk ishte deklaruar. Megjithatë, kjo qumështore nuk ka mohuar kategorikisht se produktet e qumështit e kanë këtë përbërës. Sipas pretendimit të “VITA-s”, “të gjitha produktet e tyre janë të etiketuara në përputhje me dispozitat ligjore”.
“Rezultatet e analizave te mostrave nuk u publikuan! Ne jemi te bindur qe te gjitha produktet tona jane te etiketuara ne perputhje me dispozitat ligjore. Sidoqofte, Ministria dhe AUVK duhet gjithsesi te dal dhe te i publikoje rezutlatet e analizave te mostrave, qe tash e 33 dite nuk po na i dergojne dhe tanime jane edhe ne shkelje ligjore”, thuhet në reagimin e qumështores.
“Ne garantojme qe te gjitha produktet e brendit “VITA” jane prodhim 100% qumesht i fresket i fermereve Kosovar. Ne mburemi qe jemi lider ne industrine e qumeshtit”, shton.
Sipas deklaratave nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, “në disa mostra të marra nga Qumështorja “Vita” është gjetur vaj palme i padeklaruar.
Siç tha shefi i Laboratorit në Agjenci, Kujtim Uka, vaj palme i padeklaruar është gjetur në mostra të qumështit dhe “Holla Cream”.
“Kompania Abrazen, produkti Holla Cream. Është detektuar vaj palme, nuk është i deklaruar. Yndyrat bimore janë gjetur, dhe e ka të deklaruar yndyrën bimore. Kompania Abrazen, produkti qumësht. Vaji i palmës është detektuar, nuk është i deklaruar. Yndyrat bimore nuk janë detektuar”, tha Uka.
Sipas rezultateve të kontrollit në sektorin e qumështit, nga 495 mostra të marra në nivel vendi nga produktet e qumështit, 93 kanë dalë në mospërputhje, 46 prej të cilave që kanë të bëjnë me deklarimin e vajit të palmës.



