ATK-ja rrit kapacitetet profesionale me 39 inspektorë të rinj dhe mbledhës të borxheve
Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, prej të cilëve 32 janë inspektorë fillestarë dhe shtatë mbledhës të borxheve.
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, u ka uruar suksese punonjësve të rinj, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit në ushtrimin e detyrave.
“Ju uroj suksese në detyrat tuaja të reja dhe ju përgëzoj për rezultatet e treguara gjatë këtij procesi. Mbi 2,000 kandidatë kanë konkurruar për këto pozita, ndërsa ju tashmë mbani një përgjegjësi të rëndësishme për të dëshmuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin tuaj në shërbim të tatimpaguesve dhe shtetit”, ka deklaruar Hyseni.
Sipas njoftimit të ATK-së, përzgjedhja e punonjësve të rinj është bërë përmes një procesi publik dhe konkurrues, ku në fazat e vlerësimit kanë marrë pjesë 1,887 kandidatë.
ATK-ja ka bërë të ditur se përzgjedhja është realizuar nga një komision i jashtëm, mbi bazën e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe objektivitetit.
Me këtë rekrutim, sipas ATK-së, synohet rritja e kapaciteteve në inspektimin tatimor dhe mbledhjen e borxheve, si dhe një administrim më efektiv i detyrimeve tatimore dhe shërbim më profesional ndaj tatimpaguesve.



