Bashkim politik dhe solidaritet kombëtar në mbështetje të drejtuesve të UÇK-së në Hagë!
Shkruan: Bujar Dugolli
Në këto momente të vështira për Kosovën, kërkohet bashkim politik, përgjegjësi shtetërore dhe solidaritet i gjithanshëm me drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Protestat gjithëpopullore të ditëve të fundit, në Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, dëshmuan se kjo çështje prek ndërgjegjen tonë kombëtare.
Por solidariteti nuk duhet të mbetet vetëm në sheshe. Ai duhet të kthehet në veprim konkret, të përbashkët dhe të koordinuar.
Dikush të kontribuojë politikisht. Dikush juridikisht. Dikush financiarisht. Të gjithë, me solidaritet kombëtar.
Kjo është koha për të kapërcyer ndasitë dhe për ta vënë kauzën e përbashkët mbi çdo interes partiak.
Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe për një strategji të përbashkët shtetërore. Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca duhet të jenë pjesë aktive e këtij angazhimi. Synimi duhet të jetë mbështetja e plotë e mbrojtjes juridike dhe shterimi i çdo mundësie ligjore në procedurat e apelit kundër vendimit të shkallës së parë.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duhet të ndërmarrë hapa urgjentë. Duhet të nisë hartimin dhe koordinimin e një strategjie të përbashkët institucionale e kombëtare. Kjo situatë kërkon veprim, jo pritje.
PDK-ja dhe AAK-ja duhet të kontribuojë në tejkalimin e ngërçit institucional. PDK-ja duhet t’i tërheqë menjëherë rastet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese dhe të mbështesë, me pjesëmarrjen e saj në Kuvend, zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Stabiliteti institucional dhe konstruktiviteti politik janë parakushte për angazhimin e të gjitha kapaciteteve shtetërore në këtë proces.
Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të vazhdojë. Por ajo duhet të trajtohet në mënyrë që të mos pengojë procedurën e apelit dhe të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor.
Ndryshimet e ardhshme ligjore duhet të synojnë integrimin e Dhomave të Specializuara në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe vendosjen e selisë së tyre në Prishtinë. Drejtësia duhet të jetë e paanshme. Pa standarde të dyfishta. Pa qasje selektive mbi baza etnike. Përgjegjësia penale duhet të jetë individuale dhe të përcaktohet mbi bazën e provave, jo të përkatësisë kombëtare.
Le ta kthejmë solidaritetin e dëshmuar në protesta në një angazhim të qëndrueshëm politik, juridik dhe kombëtar.
Kosova ka nevojë për unitet. Ka nevojë për përgjegjësi. Ka nevojë për veprim të përbashkët.
Bashkimi është përgjegjësi kombëtare. Veprimi i përbashkët është domosdoshmëri e kohës!



