Industria e qumështit kërkon transparencë të plotë: “Publikoni provat, jo vetëm prezantimet”

04 gusht 2026 | 20:01

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka reaguar ndaj mënyrës së prezantimit të rezultateve të kontrolleve nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke kërkuar publikimin e plotë të provave dhe dokumentacionit laboratorik.

Në një komunikatë për media, SHIQK thekson se mbështet plotësisht kontrollet institucionale dhe çdo masë ndaj operatorëve që kanë shkelur ligjin. Megjithatë, sipas shoqatës, asnjë kompani apo sektor nuk duhet të dënohet publikisht pa u publikuar analizat origjinale, raportet laboratorike dhe dokumentacioni përkatës.

Shoqata vë në dukje se, ndonëse në konferencë u njoftua se janë marrë 495 mostra, janë analizuar 471 dhe janë identifikuar 93 mospërputhje, publikut nuk i janë bërë të ditura raportet e plota laboratorike, etiketat origjinale të produkteve, numrat e loteve, procesverbalet e marrjes së mostrave dhe metodologjia e përdorur në analizë.

Sipas SHIQK-së, është e domosdoshme të bëhet dallim ndërmjet një produkti të pasigurt për konsum, një mospërputhjeje në etiketim apo një çështjeje administrative, pasi këto nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht të njëjtin nivel rreziku për shëndetin publik.

Për këtë arsye, shoqata i bën thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-it që të publikojnë menjëherë raportet e plota laboratorike, identitetin e produkteve të analizuara, dokumentacionin e marrjes së mostrave, metodat laboratorike të përdorura, listën e 93 mospërputhjeve dhe sqarime për dallimin mes mostrave të marra dhe atyre të analizuara.

Në komunikatë theksohet se SHIQK nuk mbron asnjë shkelje ligjore, por kundërshton dënimin publik pa prova të plota, duke paralajmëruar se dëmtimi i besimit ndaj prodhimit vendor prek fermerët, punëtorët, furnitorët dhe investimet në industrinë e qumështit.

Shoqata ka vendosur edhe një afat, duke deklaruar se nëse rezultatet e plota të analizave dhe dokumentacioni përkatës nuk publikohen deri më 12 gusht 2026, do të detyrohet të ndërmarrë masa, përfshirë ndalimin e grumbullimit të qumështit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qumështorja “Vita”, ka ftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës si…