Ramadani kërkon largimin e pranisë statike të KFOR-it nga ura e Ibrit
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar largimin e pranisë statike të KFOR-it nga ura kryesore e Mitrovicës, duke vlerësuar se janë përmbushur kushtet që kjo të ndodhë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ramadani ka deklaruar se ura duhet të bëhet simbol i normalizimit dhe besimit. Ai ka theksuar se prania statike e KFOR-it ka pasur rol të rëndësishëm në periudhat kur situata e sigurisë e ka kërkuar, por çdo masë e jashtëzakonshme duhet të rishikohet kur ndryshojnë rrethanat.
Ramadani ka ngritur pyetjen nëse prania statike në urën kryesore të Mitrovicës është ende e nevojshme, duke argumentuar se situata e sigurisë duhet të vlerësohet sipas realitetit aktual, se institucionet vendore kanë kapacitetet për të garantuar sigurinë dhe se një sistem modern sigurie mbështetet në patrullime, monitorim dhe reagim të shpejtë.
Ai ka theksuar se hapësirat publike nuk duhet të mbeten përgjithmonë simbol i një situate të jashtëzakonshme dhe se qëllimi i çdo misioni paqeruajtës është që një ditë prania e tij të mos jetë më e domosdoshme.
“Ka ardhur momenti që prania statike e KFOR-it në urën kryesore të Mitrovicës të largohet. Jo si dobësim i sigurisë, por si hap përpara. Sepse, kushtet janë përmbushur”, ka shkruar Ramadani.
Sipas Ramadanit, largimi i pranisë statike të KFOR-it nga ura nuk do të përbënte dobësim të sigurisë, por dëshmi se siguria është forcuar dhe një hap drejt normalizimit.
Ai ka shtuar se ura duhet të mbrohet nga besimi qytetar, ligji dhe normaliteti, e jo të ruhet përgjithmonë nga ushtarët. “Siguria nuk mbështetet duke qëndruar gjithmonë në të njëjtën pikë. Siguria ndërtohet kur institucionet forcohen, kur qytetarët fitojnë besim dhe kur masat e jashtëzakonshme zëvendësohen me normalitet”, ka shkruar Ramadani.



